462 policë të rinj kanë diplomuar sot dhe janë gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Prej tyre 79 kadet të diplomuar janë nga komuniteti serb në Kosovë.
Hapja zyrtare e ceremonisë së diplomimit të 462 kadetëve të Policisë së Kosovës të gjeneratës së 61 u bë nën intonimin e himnit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se me diplomimin e gjeneratës së 61-të po fuqizohet edhe më shumë Policia e Kosovës.
Ajo theksoi se atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë, apo 462 djem e vajza në mbrojtje të vendit tonë.
“Janë 56 vajza e gra në këtë grup, por na duhen dhe më shumë. Policia jonë është me ne në çdo ditë, në çdo festë, edhe kur ne pushojmë. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre është i pashoq… ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. I përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit dhe aty që ranë në detyrë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë se të veshësh uniformën policore dhe tu përgjigjesh thirrjes së qytetarëve.
“Që nga fillimi i detyrës sime si kryeministër jam munduar të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë e policëve. Dhe zotimi ynë në këtë mandat për 2000 policë të rinj, janë diplomuar gjithsej 2 mijë e 76 policë të rinj. I ftoj të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës që janë të gatshme t’i bashkohen policisë të aplikojnë dhe të jenë pjesë e saj”, tha Kurti.