Dita Evropiane e Gjuhëve shënohet edhe në Kosovë, synon afrimin e kosovarëve me kulturat evropiane

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 17:21 | Nga Valbona Bytyqi

Me qëllim të promovimit të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së ka mbledhur në oborrin e saj përfaqësues nga ambasadat prezente në Kosovë.

Ambasada si ajo e Suedisë, Gjermanisë, Francës, Sllovenisë e të tjera për disa orë kanë ofruar informata dhe ushqime e verëra të ndryshme për të promovuar kulturën e vendeve që përfaqësojnë, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së, Vjosa Berisha, tha se përmes këtij organizimi që është duke u bërë në Ditën Evropiane të Gjuhëve, mundohen që t`i afrojnë qytetarët e Kosovës më shumë me kulturat e tjera.

“Është një shënim apo festë e diversitetit ku festohet larmishmëria e gjuhëve e kulturave, promovohen kultura të ndryshme prandaj edhe ne e kemi parë si të rëndësishme si Qendra Informative e Kulturës së BE-së që ta shënojmë këtë ditë.”

“I kemi ftuar ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, kanë sjellë me vete materiale të ndryshme qoftë për kulturën, qoftë për atë se çfarë mund të ofrojnë për publikun e Kosovës, kanë sjellë edhe ushqime të ndryshme në mënyrë që të promovojnë edhe produktet e  veta. Kjo është një mënyrë për me i njoftuar më shumë me tregu misionin tyre që ambasadat në një shtet kanë detyrë të promovojnë shtetin e tyre dhe të lidhin bashkëpunime”, tha ajo për EkonomiaOnline.

Një nga ambasadat pjesëmarrëse ishte edhe ajo e Suedisë. Jenny Akeson,  nga kjo ambasadë ndau eksperiencën e saj në Kosovë.

“Në tavolinën tonë kemi disa informacione nëse dëshironi të studioni në Suedi, disa informacione për Suedinë dhe sigurisht të famshmet rrollnet e tona me kanellë të cilat janë shumë të famshme. Unë personalisht kënaqem shumë. Jam këtu që një vit mendoj që Prishtina është dinamike, njerëzit janë shumë të mirë, e dua shumë Kosovën e veçanërisht natyrën e Kosovës”.

Njërës nga pjesëmarrëset në këtë ngjarje, Altina Gjinit, iu dok interesante gjuha finlandeze, për të cilën tha se është ndryshe nga gjuhët e tjera.

“Organizimi po më pëlqen shumë. Jam njoftuar me shumë sene që ma herët nuk i kam ditë. gjuha finlandeze që është krejt ndryshe prej gjuhëve të tjera, kam mësuar shumë sene që ma herët nuk i kam ditë”.

I befasuar me organizimin dhe informacionet që ka marr ishte edhe Albin Shuleta.

26 shtatori festohet si Dita Evropiane e Gjuhëve pas iniciativës së Këshillit të Evropës, këshill ky i cili promovon shumë gjuhësinë në mbarë Evropën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme