Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, nga parku i Gërmisë kërkohen politika të mirëfillta për mbrojtjen e tyre

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 14:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me FAO-n, kanë shënuar ”Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, në parkun e Gërmisë, me temën “Pyje të shëndetshme për njerëz të shëndetshëm”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se qëllim kryesor kanë ndërgjegjësimin për rëndësinë e pyjeve dhe përfitimet e shumta që mund të ofrojnë ato, duke përfshirë rregullimin e ajrit dhe të klimës, sigurimin e ujit të pastër, ruajtjen e biodiversitetit dhe shumë dobi tjera të aspektit mjedisor, social e ekonomik.

Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, tha se si ligjvënës e kanë për obligim që të krijojnë politika në mbrojtje të pyjeve e mbrojtjes ekologjike.

“Ne këtu që jemi mbledhur e dimë rëndësinë e pyjeve, edhe e dimë që pyjet janë një nga ekosistemet më të rëndësishme në planet, ato rregullojnë klimën e tokës dhe në këtë mënyrë sigurojnë habitatin për neve njerëzve dhe për speciet e ndryshme bimore dhe shtazore. Për botën e egër ofrojnë strehim, ushqim dhe terrene mbarështimi dhe sidomos për botën e egër e cila është në zhdukje. Pyjet mbështesin jetën në forma të ndryshme, ato gjithashtu luajnë rol kritik në shëndetin e njeriut. Pyjet vlerësohen se thithin rreth 30 për qind të dioksidit të karbonit, të emetuar nga aktivitetet njerëzore. Është detyrë e jona që jemi mbledhur këtu që të ngrisim vetëdijen dhe të sigurojmë përmes politikave, ligjeve dhe aktiviteteve tona, të promovojmë praktika të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve që japin përparësi mbrojtjes ekologjike, përfshirjes sociale dhe zhvillimit ekonomik”, u shpreh ajo.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se “Gërmia” i kujton shtetin e tij. Westerlund foli edhe për benefitet që pyjet japin për njerëzit e mjedisin.

“Kjo pamje më kujton shumë Suedinë, ku shpesh kaloja verën në pyje. Kjo ditë shërben edhe për të na kujtuar se duhet të ndërmarrim hapa konkret nacional dhe internacional për mbrojtjen e pyjeve, si kampanjat  për mbjelljen e drunjve. Pyjet japin shumë benefite, edhe për njerëzit edhe për mjedisin. Mund ta dini se në Suedi çdo qytetar ka akses në pyje, edhe në tokat private. Përveç mjedisit, pyjet janë shumë të rëndësishme edhe në aspektin social e ekonomik. Qeveria është duke i adresuar me shumë seriozitet këto çështje.

Ndërsa Daniela Topirceanu, udhëheqëse e ekipit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se ruajtja e pyjeve është esenciale për shëndetin e njeriut.

“Pyjet kanë pasur që shumë kohë një rol të pazëvendësueshëm. Ato janë esenciale për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Kanë edhe një rol shumë të madh në ekonominë tonë, duke krijuar punë dhe ushqim për ne. Aq sa kanë qenë të rëndësishme në të kaluarën, në të ardhmen do të rritet edhe më shumë rëndësia e tyre”, tha ajo.

Të ngjashme