Ditëve të fundit të gushtit, mot shumë i nxehtë në Kosovë – temperaturat deri në 35C

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Ditëve të fundit të verës meteorologjike mbi vendin tonë parashihet të mbizotërojë mot tipik veror, i nxehtë dhe me kthjellime, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se një valë e të nxehtit nga Afrika veriore do të sjellë këto ditë të fund gushtit temperatura maksimale deri në 33-35 gradë Celsius.

“Nga data një shtator, kur fillon stina e vjeshtës meteorologjike, do të kemi një ndryshim të situatës sinoptike. Me depërtimin e fushave të presionit të ulët nga Atlantiku pritet rënie e theksuar e temperaturave dhe mundësi për reshje shiu”, paralajmëron PW.

Parashikimi për periudhën 27-31 gusht:

27.08 – Në mëngjes vranësira kalimtare, përgjatë viseve të ulëta mundësi për mjegull/mjegullinë. Ditën më nxehtë dhe kryesisht me diell.

28.08 – Kryesisht me diell dhe nxehtë. Në mëngjes viseve të ulëta mundësi për mjegull/mjegullinë.

29.08 – Nxehtë, kryesisht kthjellët dhe me diell.

30.08 – Kthjellët, me diell dhe shumë nxehtë.

31.08 – Shumë nxehtë, paradite kryesisht me diell. Ditën dhe në mbrëmje pjesërisht vranët.

Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje të ndjeshme mbi vlera mesatare për këtë periudhë kohore. Minimalet do të lëvizin nga 12C deri në 16C, ndërsa maksimalet nga 29C deri në 35C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme 1-7m/s, e në fundjavë e lehtë nga juglindja 2-4m/s.

Shtypja atmosferike zbret përreth vlerave normale, e javën e ardhshme me tendencë të vazhdueshme të rënies.

Të ngjashme