DnV: Deri në orën 12 kanë votuar 14.61 për qind e qytetarëve

Prishtinë | 22 Tet 2017 | 14:17 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i organizatave jo qeveritar Demokracia në Veprim në konferencën e dytë për shtyp ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale.

Albert Krasniqi, nga DnV, tha se deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 276, 342 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 14.61% e të gjithë votuesve me të drejtë vote., raporton Ekonomia Online.

“Komunat me daljen më të madhe të votuesve në zgjedhje janë: Kllokoti (32.10%), Mamusha (24.93%) dhe Leposaviqi (23.38%). Komunat me daljen më të vogël janë: Skenderaj (9.36%), Dragash (10.85%) dhe Rahovec (11.20%). Madhësia e trupit elektoral në zgjedhjet lokale sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së është 1,890,952 votues, rreth 18,011 votues më shumë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017″.

“Tri komunat ku është votuar më së shumti janë Kllokoti, Mamusha dhe Leposaviqi. Ndërkaq komunat ku është votuar më së paku janë Skenderaj, Dragashi dhe Rahoveci. Ka pasur tentim për të votuar më shumë se një herë. Janë parë edhe këtë herë shumë votime në grup, apo familjare. Edhe në këto zgjedhje ka pasur fotografim të votës dhe njërës që kanë votuar jashtë kabinës së votimit. Një person ka votuar letërnjoftim të gruas, por mbi të gjitha nuk ka pasur grupe të organizuara që dëshirojnë ta dëmtojnë procesin zgjedhor”.

Parregullsitë më evidente

Në përgjithësi, ka një rënie të rasteve që lidhen me votimin familjar në raport me zgjedhjet parlamentare në të njëjtën orë të raportimit dhe vështirësive për të gjetur emrin në Listën e votuesve.
Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)

  • Gjithsej 26 raste, në 9 vendvotime.
    Prijnë komunat: Ferizaj (13 raste), Mitrovica (8 raste), Prizreni (2 raste).

Votimi familjar

  • Gjithsej 1967 raste, në 338 vendvotime, ose në përqindje 13.5 % të të gjitha vendvotimeve.
    Prijnë komunat: Gjakova (330 raste); Ferizaj (208), Lipjan (138).

Fotografimi i votës

  • Është evidentuar në 138 raste ose në 80 vendvotime në nivel vendi,  shprehur në përqindje, në 3.2% të të gjitha vendvotimeve.
    Deçani prin me 25 raste, pasuar nga Peja 22 dhe Prishtina me 19 raste.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)

  • Gjithsej 41 raste, në 24 vendvotime (ose në përqindje 0.95% të0 vendvotimeve).
    Prijnë komunat: Skenderaj (10 raste) , Ferizaj (9 raste) dhe Prishtina (4 raste).

Asistimi i votuesve më shumë se një herë

  • Gjithsej 193 raste, në 65 vendvotime (ose në përqindje 2.6 % të vendvotimeve).
    Prijnë komunat: Peja (40 raste), Suhareka (31) dhe Prizreni (28).

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve

Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 401 raste në 113 vendvotime, ose 4.5% të vendvotimeve. Komunat ku është hasur ky problem janë Prizreni me 88 raste, Prishtina me 77 raste dhe Mitrovica me 38 raste.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime dhe qendra të votimit

Është evidentuar në 11 vendvotime (ose në përqindje 0.44 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Prishtina dhe Gjilani me nga dy vendvotime.

Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote, do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe për këshilltarë komunal.

Për këto zgjedhje lokale janë gjithsej 899 qendra votimi me 2 505 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do ta vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.

Numri i kandidatëve që janë certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, është 7 091 kandidatë, prej tyre 6 887 janë kandidatë për Kuvende Komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetar komune.

Të ngjashme