Dogana e Kosovës sekuestron 2,550 fishekë të kalibrit 9 mm

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e Doganës së Kosovës nga Sektori Antikontrabandë, gjatë realizimit të aktiviteteve operative për luftimin e kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, kanë ndaluar sot një automjet të dyshimtë në regjionin e Prishtinës, në segmentin e autostradës Trudë – Prishtinë, për t’iu nënshtruar kontrollit doganor.

Sipas njoftimi gjatë kontrollit fillestar janë krijuar dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet. Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar bunkerë (hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit), ku ishin të fshehura 2,550 copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Pas përfundimit të kontrollit të detajuar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe rasti, së bashku me automjetin, municionin dhe personin e dyshuar, i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme, në përputhje me kompetencat ligjore.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të garantuar sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme