Doktori që dyshohet se grushtoi kolegun në Kardiologji vazhdon punën normalisht, nuk ndëshkohet nga drejtori

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Rreth një javë më parë në Klinikën e Kardiologjisë dyshohet se ka ndodhur një rrahje. Kardiologu Fisnik Veliu thotë se është grushtuar nga shefi i njësisë koronare në këtë klinikë dr. Artan Ahmeti. Rasti është paraqitur në polici. Veliu thotë se ngjarja ka ndodhur në sy të disa kolegëve të tij. Ndërkohë, ndaj të dyshuarit Artan Ahmeti nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese nga eprorët e tij.

Kardiologu Fisnik Veliu po pretendon se është grushtuar nga kolegu i tij, Artan Ahmeti. Ai thotë se konflikti nisi krejt papritur teksa po e dërgonte një pacient në sallën e operacionit.

Veliu i ka thënë Insajderit se Ahmeti kërkoi nga ai të dilte jashtë, duke folur në cilësinë e zëvendësdrejtorit.

“Pacientin kam qenë duke e shti në sallë. Unë isha me uniformë e ai jo, ka qenë civil këtu e ka thy kodin etik ndërkohë ka kërkuar që pacientin ta qes jashtë. I thash për çka me e qitë jashtë, më tha se e kam një pacient tjetër. Kjo na ndodhë çdo ditë por i thash se nuk bën pa e sqaru. Më tha po flas në cilësinë e zv.drejtorit se ata janë në rastin “Stenta” për momentin. Unë e kam kalu pjesën para sallës, tu dal unë vetëm e kam mbyllë derën, kur e kam mbyllë unë derën, në shenjë revolte ai ma ka hap derën dhunshëm e ka ardh direkt më ka godit në fytyrë dhe ka ecë. Unë nuk ia kam kthy kam qëndru i ftoht”, ka thënë Veliu.

Po ashtu, Veliu pretendon se Ahmeti e ka “dost” drejtorin e repartit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberin.

Sipas Veliut, kjo është një nga arsyet pse ai ende nuk e ka supsenduar, përkundur që është ushtruar ankesë ndaj tij.

“Ngjarja ka ndodhur para syve të pacientit, para djalit të tij, para syve të doktor Viganit. Me sy më kanë pa e më kanë përcjellë deri në polici sepse une isha viktimë. Të njëjtën ia kanë thënë drejtorit edhe këta dëshmitarët por drejtori e ka dost këtë djalin. S’kam pas raporte të këqija me asnjërin”, përfundoi Veliu.

Ndërkohë drejtori, Lulzim Kamberi është duke e pritur raportin e policisë për të marrë një vendim ndaj të dyshuarit. Të paktën kështu i ka thënë Gazetës Insajderi.

“Rasti është në polici. Unë do t’i ndërmarrë masat që duhet në bazë të ligjit dhe e pres raportin e policisë”, deklaroi Kamberi.

Nga ana tjetër, Artan Ahmeti e ka mohuar gjithë ngjarjen. “Jo nuk është e vërtetë”, kishte thënë shkurt ai pas raportimit në medie.

Të ngjashme