Qeveria Kurti do të mbajë në mes të javës mbledhjen e 132-të, ku do të vendosë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Demokracia.com e ka siguruar rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë, e cila do të mbahet të mërkurën, duke nisur ora 10:00.
Në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për rekomandimin e Kryeministrit për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, siç ka mësuar Demokracia.com, tashmë e ka rekomanduar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën.
Në pikën 2 të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-172. Kjo pikë e rendit të ditës do të prezantohet nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve.
Po ashtu, në këtë mbledhje pritet të bëhet edhe shqyrtimi i draftit të deklaratës së prioriteteve afatmesme të Qeverisë 2024-2026. /Demokracia.com/