Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, nënkolonel Faton Pllana, ka ndarë mirënjohje për Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH), si dhe për disa pjesëtarë të kësaj njësie.
Sipas komunikatës për media, mirënjohjet janë ndarë në shenjë vlerësimi për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të pjesëtarëve të NJRSH-së në realizimin e planeve operative dhe përmbushjen me sukses të objektivave të përcaktuara.
Me këtë rast, drejtori Pllana ka vlerësuar punën dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të njësisë.
“Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, nënkolonel Faton Pllana, ka vlerësuar angazhimin profesional të pjesëtarëve të NJRSH-së, gatishmërinë e tyre operative dhe përkushtimin në realizimin e detyrave policore”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se NJRSH-ja, e cila operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, vazhdon të jetë e angazhuar në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të saj.
“NJRSH-ja, si njësi operative e DRP Ferizaj, vazhdon të jetë e angazhuar në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të saj, në mbështetje të aktiviteteve policore dhe në funksion të sigurisë së qytetarëve”, thuhet tutje.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur vlerësimin për punën e pjesëtarëve të saj dhe i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë me përkushtim në realizimin e detyrave dhe objektivave policore.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh vlerësimin për punën dhe kontributin e pjesëtarëve të saj dhe i inkurajon që të vazhdojnë me përkushtim në realizimin e detyrave dhe objektivave policore”, përfundon komunikata.