Dridhjet e fundit të Speciales

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Pas ftesës që mori kryeministri në largim Ramush Haradinaj në korrik të këtij viti nga Prokuroria Speciale, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli të enjten njoftoi se është ftuar për intervistim nga po ky organ.

Ndonëse nuk tregoi cilësinë në të cilën është ftuar, Veseli deklaroi se më 4 dhjetor të këtij viti do të dalë para Prokurorisë për intervistim.

Ndërkohë të premten (dje) radhës së intervistimeve iu shtua edhe kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili ishte njëri ndër komandantët e UÇK-së në Zonën e Drenasit.

Lladrovci njoftoi se do të pranojë ftesën me qëllim që ta dëshmojë luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së. “Valës së ftesave nga Dhomat e Specializuara iu bashkova edhe unë, në cilësi të dëshmitarit. Nuk kam informata, as dijeni më shumë sesa shkruan në ftesë.

Data e dhënies së dëshmisë është më 19 dhjetor 2019. Kurrë në jetë as s’kam pasur hamendje, as s’kam dilemë për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore”, ka shkruar Lladrovci.

Kësisoj vlerësohet se cak i radhës i Speciales mund të jetë presidenti Hashim Thaçi, i cili përmendet ekskluzivisht në raportin e senatorit Dick Marty, shkruan gazeta Zëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme