Drita ankohet për tifozët, thotë se Prishtina është në presion

Prishtinë | 19 Maj 2018 | 09:13 | Nga

Gentrit Murseli, zëdhënës i klubit të Dritës në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se 100 tifozë zyrtarisht do të jenë në stadium, por nuk ka mundur të japë ndonjë shifër të saktë se sa tifozë do të udhëtojnë nga Gjilani drejt Pejës.

“Ne në stadium do t’i kemi shumë më pak tifozë. Problemi i parë është që kemi 5 për qind të kapacitetit të stadiumit. Problemi i dytë është që vendi që është ndarë me tifozët tanë nuk janë tribuna, por është një hapësirë me barë prapa portës”, ka thënë Murseli.

“Një numër i madh i tifozëve do të nisen prej Gjilanit në Pejë. Sot jemi takuar me Policinë që do të përcjellin dy autobusët zyrtarë. Një numër i madh i tifozëve do të vijë, por është e sigurt se më shumë se 100 tifozë do të jenë atje, por në stadium do të jenë vetëm 100”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i Dritës ka thënë se çelësi i suksesit të sivjetmë i klubit nga Gjilani ishte organizimi i brendshëm, derisa ka shtuar se ekipi i tij ka përparësi psikologjike.

“Çelësi ishte organizimi i brendshëm. Lojtarëve nuk u mungon asgjë, donatorët janë stabil. Jemi klub serioz dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë sepse Drita dhe Prishtina do ta përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“I kemi dy përparësi. E kemi një skuadër të përgatitur, futbollistët tanë dinë si të fitojnë tituj. Ata janë të përgatitur mirë taktikisht, fizikisht dhe psiqikisht”, ka thënë veç të tjerash ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme