“Duhet të jeni ofrues sigurie”, Petritsch me mesazh për Kosovën

Prishtinë | 25 Qer 2026 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Ish-diplomati i lartë austriak, Wolfgang Petritsch, ka vlerësuar se mundësia e tërheqjes së një pjese të trupave të NATO nga Kosova lidhet edhe me presionin që aleanca po përballet nga Uashingtoni.

Sipas tij, SHBA-ja ka bërë të ditur publikisht se synon të reduktojë praninë e saj ushtarake në Evropë, gjë që mund të ketë ndikim edhe në Kosovë.

“NATO është nën presion të madh nga Uashingtoni. Uashingtoni tashmë ka njoftuar publikisht se SHBA do të tërheqë trupat e saj nga Evropa. Dhe kjo, qartë, ndikon edhe në Kosovë”, ka deklaruar Petritsch në rtk.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të avancojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, përmes forcimit gradual të kapaciteteve të saj mbrojtëse.

“Do t’ju duhet të merrni vetë përgjegjësinë për sigurinë tuaj. Do t’ju duhet të bëheni një ofrues sigurie për Kosovën dhe për rajonin. Duhet të bëheni një faktor stabilizues”, ka shtuar ai.

Petritsch ka kritikuar gjithashtu rolin aktual të Kosovës në raport me stabilitetin rajonal, duke thënë se vendi duhet të shndërrohet në një partner më konstruktiv në Evropë.

“Na duhet që Kosova të bëhet një partner konstruktiv në Evropë”, ka përfunduar ish-diplomati austriak.

Të ngjashme