Dy prizrenas arrestohen për vjedhje në ëmbëltore

Prizren | 14 Maj 2018 | 22:22 | Nga

Policia në Prizren ka njoftuar se në orët e para të ditës së diel (ora 03:37) kishte pranuar një informatë për një vjedhje të rëndë e cila kishte ndodhur në rrugën “Ismet Jashari”, konkretisht në Ëmbëltoren “Daja”.

Sipas raporteve hetimore dhe provave materiale merret vesh se njëri nga të dyshuarit ka depërtuar me forcë në ëmbëltore me ç‘rast e ka përvetësuar një portofol me një shumë parash, ndërsa i dyti kishte bërë roje. Më pas, të dy janë larguar në drejtim të panjohur.

“Pas shpërndarjes së informatës, hetues policorë dhe policë patrullues kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë të dyshuarit. Tek njëri është gjetur një boks metalik dhe një shumë parash”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha.

Të ballafaquar me provat dhe faktet e tjera është hedhur dritë në tërësi mbi ngjarjen.

Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar në masën e arrestit policor.

Të ngjashme