Dyshime për kurdisjen e tenderit milionësh në Prishtinë, kontestohet në OShP

Prishtinë | 28 Sht 2023 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Të martën ka skaduar afati për dorëzimin e ofertave në një tender të hapur nga Komuna e Prishtinës për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet. Në të njëjtën ditë është pezulluar edhe procesi tenderues.

Komuna e Prishtinës e ka pezulluar këtë tender për shkak të një ankese që për këtë lëndë është parashtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në OSHP-në, e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve, janë ngritur dyshime se tenderi i parashikuar në vlerë prej 1,350,000.00 euro është i kurdisur.

Në ankesën e parashtruar pranë OSHP-së, “Professional Alarm L.L.C”, një kompani private me bazë në Prishtinë, ka paraqitur dëshmi mbi dyshimet për përshtatjen e kritereve të tenderit për një operator ekonomik.

Kriteret i janë përshtatur prodhuesit kanadez të kamerave, “AVIGILON”.

Sipas Dosjes së Tenderit, produktet e kërkuara nga Komuna e Prishtinës përmes këtij tenderi “i përshtaten një prodhuesi dhe është e pamundur që këto specifika të plotësohen nga prodhues të tjerë”.

“Duhet theksuar qe jo vetem pozicionet e cekuar me lartë i janë përshtatur prodhuesit AVIGILON por ka edhe produkete tjera qe i jane pershtatur po te njejti prodhues i cili e eshte nje prodhues i vecant dhe eshte e pamundur qe keto specifika te plotesohen me prodhues tjere dhe kështu ju keni diskriminuar të gjithë prodhuesit tjerë dhe rrjedhimisht edhe OE qe merren me sisteme te sigurisë dhe qe opereojn ne Kosovë”, thuhet në një nga pikat e pretendimeve të ngritura nga ankuesi në OSHP.

Kush është kompania partnere në Kosovë e prodhuesit kanadez “AVIGILON”?

Janë disa. Por, një nga partnerët e “AVIGILON” në Kosovë, e cila dyshohet se është e interesuar të marrë pjesë në këtë tender, është kompania “E-Connect AL Sh.P.K.”, thuhet në ankesën e deponuar në OSHP.

Për shkak të vendosjes së kritereve dhe specifikimeve diskriminuese, kompania ankuese ka kërkuar nga OSHP-ja që ta anulojë procedurën tenderuese të hapur nga Komuna e Prishtinës.

“Me këto kritere siç janë tani mund te jetë i përgjegjshëm vetëm një OE për të cilin ne mendojmë që i është përshtatur ky specifikim teknik dhe ky operator ekonomik është ‘E Connect AL SH.P.K’”, theksohet në ankesë.

“E Connect AL Sh.P.K.” është një kompani me bazë në Prishtinë, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. E njëjta kompani, tre muaj më parë e ka fituar tenderin për vendosjen e kamerave në qytetin e Fushë-Kosovës. Vlera e projektit në Fushë Kosovë parashikohet të kalojë shumën e mbi 500 mijë eurove.

Komuna nuk jep sqarime për kriteret e dyshuara diskriminuese: “Ne do të dorëzojmë të gjitha provat dhe argumentet e rastit”

Pavarësisht prej dyshimeve të ngritura për kurdisjen e këtij tenderi, Komuna e Prishtinës ka thënë se do të dorëzojë “prova dhe argumente” për të mbrojtur Dosjen e Tenderit në OSHP.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të enjten, Arlinda Kastrati, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, ka thënë se pretendimet ankimore do të trajtohen dhe vlerësohen nga OSHP-ja, megjithatë komuna do të “ofrojë prova dhe argumente të rastit”.

“Sa i përket pretendimeve ankimore, ato fillimisht do të trajtohen nga eksperti shqyrtues/teknik dhe pastaj do të vlerësohen nga Paneli Shqyrtues. Padyshim që edhe ne do të dorëzojmë të gjitha provat dhe argumentet e rastit përmes do të cilave mund të konfirmohet gjendja e vërtetë faktike në rastin konkret”, ka thënë Kastrati.

Komuna e Prishtinës ka thënë se vendimi për pezullimin e procedurave tenderuese për tenderin 1.3 milion eurosh ndërlidhet me ankesën e parashtruar në OSHP.

“Pikërisht mbi këtë bazë ligjore është bërë edhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit për të cilin ju keni parashtruar pyetjen përkatëse”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Komunës së Prishtinës.

Të ngjashme