Edhe në Prishtinë ndizen flakadanë për Epopenë e UÇK-së

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 18:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës për nder të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së ka ndezur flakadanë në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama tha se në sheshin e Prishtinës “Skendërbeu” është bërë ndezja e flakadanëve në orën 18:00 në të njëjtën kohë kur edhe ndizen në të gjithë Kosovën në solidarizim me Natën e Zjarreve që mbyllet sonte në Prekaz.

“Kjo është një shenjë nderi, respekti për familjen e madhe Jashari, të cilët e kanë flijuar jetën e tyre që ne sot ta festojmë lirinë, është një organizim që e kemi bërë edhe vitin e kaluar, prej vitit të kaluar tash e tutje do të jetë organizim për çdo vjet, edhe normal që çdo vjet edhe do të madhërohet shumë e më shumë për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, për të nderuar të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë, për lirin që e gëzojmë sot këtu”, tha Rama.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që t’i shohin nga afër prezantimet e historikut që janë të vendosura në këtë shesh dhe bëri thirrje që t’i informohen gjenerata e reja për këtë luftë.

“Ftoj të gjithë që të vijnë këtu, kemi disa pamflete atje, disa prezantime të historikut prej viteve të 90’ta e deri më tani, e deri faktikisht në luftë e më pastaj të familjes, në peripecitë që ata i kanë kaluar edhe faktet që kanë ndodhur me familjen t’i mbajmë mend gjithmonë që t’i mësojmë edhe gjeneratat e reja që edhe fëmijët tanë të dijnë për historinë se si është fituar liria, se liria është fituar me gjak edhe tash duhet të punojmë sa më shumë që ta ngrisim nivelin e edukimit, pra që të forcohemi që të mos lejojmë në të ardhmen të ndodhin këto gjëra, këto masakra kurrë me popullin tonë, pra ta mbrojmë paqen me dijeni, ta mbrojmë lirinë me dijeni e po ashtu gjithmonë t’i përkujtojmë ata të cilët flijuan jetën që ne ta gëzojmë lirinë sot”, tha Rama para medieve.

Naser Pacolli, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së dega në Prishtinë, tha se kanë qenë diku 400 dëshmorë e martirë të cilët kanë qenë mësimdhënës në atë kohë.

“Pra sonte në 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë simbolike në bashkëpunim me komunen e Prishtinës kemi vendosur që këtu të bëhet ndezja e zjarreve e cila para 25 viteve ka shërbyer si masivizim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që me rënien e Adem Jasharit, domethënë populli ynë iu bashkangjit masivisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shfrytëzoj rastin sot të përkujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës. Meqë koinçidon me datën e 7 Marsit, ditën e mësuesit, të gjithë atyre mësimdhënësve që në Kosovë janë diku 400 martirë dhe dëshmorë të UÇK-së e që në atë kohë ishin mësimdhënës domethënë janë flijuar për lirinë e Kosovës”, tha Pacolli.

Të ngjashme