Edhe punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë sot

Prishtinë | 25 Maj 2022 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Të vendosur për të arritur përmbushjen e kërkesave të tyre, punëtorët e Lotarisë së Kosovës do të protestojnë sërish këtë të mërkurë.

Ata do të mblidhen para objektit të Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar nga ta, ku ndër të tjera kanë thënë se ndihen të indinjuar për neglizhencën që po u bëjnë institucionet e vendit.

“Protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave tona e që janë Ligji për Lotarinë e Kosovës si dhe përmbushja e obligimeve, pagave për punëtorët tanë”, thuhet në njoftim të Lotarisë së Kosovës.

“Kërkojmë praninë dhe ndihmën tuaj në përmbushjen e kërkesave të punëtorëve tanë, të cilët për tri vite gjenden në gjendje të rënduar ekonomike dhe sociale”, vazhdon më tej njoftimi.

Dhe për gati një vit ata protestojnë herë pas here me të njëjtën kërkesë.

“Kërkojmë miratimin e ligjit dhe kthimin në vendet e punës”, ishte kërkesa e vetme e punëtorëve të Lotarisë së Kosovës të cilët në mënyrë simbolike bashkë me sindikatën protestuan në shesh, para objektit të Qeverisë.

Ibadete Asllani Berisha, ish-punëtore e Lotarisë së Kosovës atë kohë, thoshte se ishin bërë dy vite, e tani sipas kësaj përllogaritje i bie të kenë kaluar 3 vite, që statusi i tyre është i pazgjidhur, janë të pezulluar nga puna dhe askush nuk po ndërmerr asgjë për të përmbushur kërkesat e tyre.

“Nuk jemi duke kërkuar asgjë më tepër, vetëm miratimin e ligjit dhe pagat”, kishte deklaruar ajo para gazetarëve.

Të ngjashme