Edi Rama vuan nga një “sëmundje” – mungesa e konsistencës

Prishtinë | 28 Sht 2023 | 17:45 | Nga Demush Shasha

Një ditë prej ditëve problemi kryesor në jetën e Edi Ramës ishte një shtyllë. Si kryetar i bashkisë së Tiranës Rama kishte përfunduar çdo gjë për asfaltimin e një rruge tiranase, por një shtyllë druri elektrike nuk lëvizte dot. Shtylla nuk lëvizte për shkak se Rama ishte duke u sabotuar nga Sali Berisha, Kryeministër i asaj kohe. Duke ngelur pa opsione Rama vendosi të gjej një sëpatë të madhe dhe të shkoj personalisht për të prerë shtyllën e drurit. Skena surreale e prerjes së shtyllës në pikë të ditës nga një kryetar bashkie ishte shok për politiken shqiptare dhe dhuratë e paimagjinueshme zbavitjeje për mediat e Tiranës.

Ky akt jonormal, por efektiv, i bërjes politikë dhe komunikimit publik katapultoj Ramen në piedestalin e politikës kombëtare. Ky akt po ashtu paralajmëroj ardhjen e një lloji të ri politikani në skenën shqiptare. Që nga ajo kohë karriera e Rames ka njohur vetëm ngritje. Rebelizmi i tij politik shndërroj politiken dekadente shqiptare në art bashkëkohor evropian. Aftësia e tij për të komunikuar në mënyrë efektive mesazhe politike deri me sot ka ngelur e pamposhtur. Këtë e pamë në temat serioze politike siç është transformimi i “Rilindjes Urbane”, homazhi ikonik rrugëve të Parisit për Charlie Hebdo, buzëqeshja cinike për njohjen e pavarësisë në Beograd, apo së fundi performansë e shkëlqyer në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit. Dhe i tillë është edhe në temat më të lehta politike, sikur që është ardhja me atletet “cool” në samite të mërzitshme politike, basket me Kryeministrin holandez në zyrën e tij, apo luajtja kukamsheftas me Kryeministrin e Kosovës.

Por gjatë gjithë kësaj kohe Edi Rama ka vuajtur nga një sëmundje tipike artistike: mungesa e konsistencës. Deri sa me një anë Rama ka lartësuar pozitën diplomatike ndërkombëtare të Shqipërisë, kjo ka ardhur me kosto të shkatërrimit të demokracisë dhe opozitës në vend. Deri sa me një anë Rama ka prodhuar lajme të mrekullueshme për Shqipërinë në botë, kjo ka ardhur me kosto të shkatërrimit të medias në Shqipëri. Deri sa me një anë Rama ka bërë nder Shqipërisë me vettingun, kjo ka ardhur me koston e korrupsionit rekord të pushtetit të tij.

Dhe nga kjo optikë duhet parë edhe rolin e tij në marrëdhënie Kosovë – Serbi. Armiku më i madh i Edi Ramës është konsistenca. Njëherë thotë Serbia është e mirë, pastaj thotë Serbia është e keqe. Njëherë thotë Ballkani i Hapur është i shkëlqyer, pastaj thotë është i vdekur. Njëherë thotë Albin Kurti është kokëfortë, pastaj thotë është në rrugën e drejt. Njëherë thotë nuk flas në emër të Kosovës, pastaj thotë jemi një. Njëherë thotë BE-ja është e mrekullueshme, pastaj thotë what the fuck.

Por ndoshta edhe këtë duhet t’ia falim Rames. Konsistenca nuk është ana e fort e asnjë politikani. Çdo politikan manipulon pak, ose pak më shumë. Dhe në veçanti ndoshta duhet t’ia falim në temën e dialogut. Nëse keni vërejtur Rama sot ka lexuar fjalë për fjalë një fjalim që kishte para vetës. Ata që përcjellin Ramen e dinë që Rama kurrë nuk lexon fjalime. Ai lexon fjalime vetëm kur i servohen nga Amerikanët. Prandaj, sot ndoshta keni parë Ramen, por keni dëgjuar Amerikanët.

Por pa marr parasysh kush ishte autor i atyre rreshtave, në thelb nuk ka asgjë të keqe në çfarë thotë Edi Rama sot për KFOR-in dhe veriun. Reduktimi sipërfaqësor i deklaratave të Rames në deklaratat e Vuçiqit mund të jetë zbavitës, por nuk është serioz. KFOR-i është aleat më i madh i Kosovës. Bashkëpunimi me të ka sjellur vetëm gjëra të mira për vendin. Sot problemi kryesor i Rames në dialogun Kosovë – Serbi nuk është çfarë po thotë, por si e thotë. Nëse ia do të mirën mikut atëherë këshillat i jap privatisht, jo publikisht.

Të ngjashme