Eksperti i sigurisë: Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmi Iran-Izrael, nuk ka vatra të luftërave për Luftën e Tretë Botërore

Prishtinë | 15 Pri 2024 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i sigurisë, Avni Islami ka folur lidhur me konfliktin Iran-Izrael. Islami deklaron se Kosova nuk është e rrezikuar pas këtij sulmi.

Që të shpallët Lufta e Tretë Botërorë, sipas Islamit, duhet të ketë shumë vatra të tjera të luftërave gjë që nuk janë.

Islami thotë se me prezencën e NATO-s në vend, Kosova është e sigurt.

“Sa i përket tërheqjes së paraleles në mes Lindjes së Mesme dhe Kosovës në veçanti assesi nuk ka të bëjë me një tërheqje të tillë, pasi në territorin e Kosovës janë të vendosura forcat e aleancës veri-atlantike, NATO-s dhe nuk pres të ketë tensione në Kosovë por as në Ballkan. Për tërheqje të një paralele të Ballkanit me Lindjen e Mesme do të duhej të ketë shumë vatra të tjera të luftërave në mënyrë që të shpërthej Lufta e Tretë Botërore”, u shpreh Islami.

Islami vlerëson se sulmi i Iranit ndaj Izraelit ka rezultuar i dështuar.

Pasi sipas tij, Izraeli me SHBA-në i rregulluan raportet dhe këta të fundit dolën në mbrojtje.

“Sulmi i Iranit ndaj Izraelit është bërë në kohën më të papërshtatshme për Iranin. Sulmi është i dështuar dhe i pa matur, sepse presioni i SHBA-së dhe vendeve aleate ndaj Izraelit për ndaljen e luftës me Hamasin ka qenë në pikën më të ulët dhe kur Irani e ka marr një vendim të tillë, aleatët perëndimor me SHBA kanë dalë në mbrojtje dhe i kanë rregulluar raportet”, theksoi Islami për Front Online.  

Të dielën, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Irani kishte kohë që paralajmëronte se do të fillonte një sulm ndaj Izraelit si hakmarrje ndaj një sulmi ndaj ndërtesës së konsullatës iraniane në kryeqytetin e Sirisë, Damask, në 1 prill. Avionët izraelitë shënjestruan ndërtesën e konsullatës iraniane ku mbetën të vrarë shtatë oficerë të Gardës.

Të ngjashme