Elshani: Policia ka asistuar në largimin e billbordeve ilegale në Zveçan

Prishtinë | 25 Jan 2024 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve, të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës.

Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, për Radio Dukagjini ka thënë se pas heqjes së këtyre billbordeve, situata në veri është e qetë por njëkohësisht edhe delikate.

“Situata e sigurisë është e qetë por delikate. Ne kemi njohuri se ato janë larguar, ne jemi në vazhdimësi në veri të vendit dhe kemi asistuar në këtë rast”, ka thënë Elshani.

Ndërsa, i pyetur nëse vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) lidhur me dinarët dhe nëse ai ka ndikuar në disponimin e tyre, Elshani është shprehur se për këtë çështje nuk ka ndonjë informacion.

“Për besë nuk e di, sepse edhe ne nuk e dimë njëherë se çfarë do të thotë kjo…”, ka thënë tutje Elshani.

Të ngjashme