Erolld Belegu thotë se emërimet në AKI u bënë për t’iu shmangur vakuumit institucional

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Erolld Belegu i cili është këshilltar për Ekonomi i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, ka thënë se dy emërimet e fundit në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë janë bërë për t’iu shmangur vakuumit institucional që po krijohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kështu ka thënë ai në emisionin Info Magazine në Klan Kosova duke shtuar se Qeveria e ardhshme do ta ketë mundësinë që ta emërojë dikë tjetër duke respektuar ligjet në fuqi.

“Sot është arritur një dakordancë për emërimet në dy pozitat – numër një dhe tre në AKI. Natyrisht kjo është bërë që të mos krijohet vakuum institucional”.

“Me largimin e Shpend Maxhunit nga pozita e drejtorit, në AKI ishte vetëm zonja numër dy dhe tani Kryeministri Haradinaj e ka shfrytëzuar të drejtën e tij”.

“Nuk kam pritur reagim tjetër; megjithatë duhet të vlerësohen personalitetet e zgjedhura. Burimi Ramadani ka qenë nëpër disa mekanizma të sigurisë dhe ka pasur lëvdata për punën e tij. Mendoj se ai është meritor për pozitën që e ka marrë”.

Gjithashtu edhe Kreshnik Gashi  e ka kryer punën mirë në Bordin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe nuk ka pasur ndonjë vërejtje. Kjo ka ndodhur për shkak se formimi i Qeverisë ende nuk ka ndodhur pas zgjedhjeve të 6 tetorit dh Kryeministri i ri do të ketë mundësinë ta vendosë dikë tjetër në bashkëpunim me presidentin”.

Të ngjashme