Escobar: Zgjedhjet e reja në veri nuk duhet të presin deri në fund të korrikut

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një kërkesë ligjore për qeverinë e Kosovës dhe shtoi se zgjedhjet e reja në veri, nuk duhet të presin deri në fund të korrikut.

“Pra, unë po flas për faktet. Është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit Evropian, në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimit euroatlantik, duhet ta përmbushë. Pyetja është nëse do të realizohet tani apo brenda një qeverie të ardhshme”, theksoi Escobar.

Ai theksoi se marrëveshja e Ohrit është “gjithëpërfshirëse” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Aty janë shprehur qartë përgjegjësitë e të dyja palëve. Gjithçka mund të bëhet shpejt, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Ne mund të kemi gjithçka, shumicën e elementeve,” tha ai.

Escobar ka theksuar se sa i përket zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, “nuk dëshiron të presë deri në fund të korrikut, por se është një plan që aktualisht është duke u zhvilluar”, shkruan Beta, transmeton teve1.info.

“Pra, unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është që të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Kjo është diçka ku ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që serbët që marrin pjesë në zgjedhje dhe kthimi në institucione është i mirëseardhur”, vuri në dukje Escobar.

Escobar ka mohuar se i ka vendosur afate Kosovës.

“Kurtit nuk i kam dhënë asnjë afat, ajo që kam kërkuar në Prishtinë është – pyeta se cilat janë hapat e mëtejshëm. Miroslav Lajçak dhe unë thamë që pas kësaj vizite duhet të dorëzojmë raporte. Shtëpia e Bardhë po kërkon që unë t’i jap informacionet e fundit të së premtes për atë që po ndodh, dhe ai (Lajçak) duhet t’i raportojë Josep Borellit se çfarë po ndodh. Por, ky është hapi tjetër për mua, nuk është një afat. Bazuar në raportin e ardhshëm, ne do të marrim disa vendime për e ardhmja, por nuk është ndonjë afat për askënd”, tha Escobar.

Të ngjashme