Fahri Fazliu i Ri në natën e 11-të të protestës: Kërkojmë drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët tanë

Prishtinë | 26 Sht 2026 | 21:46 | Nga Ekonomia Online

Në natën e 11-të të protestës në sheshin e Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka folur edhe Fahri Fazliu i Ri, nipi i dëshmorit Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.

Ai në fjalimin e tij ka treguar për lidhjen familjare me heroin e kombit, Fahri Fazliu, si dhe për sakrificat e familjes së tij ndër vite.

“Unë jam Fahri Fazliu i ri. E mbaj me krenari emrin e xhaxhait tim, heroit të kombit, Fahri Fazliu. I cili ra në një betejë me forcat jugosllave-serbe në nëntor të vitit 1989, së bashku me shokun e tij të idealit, heroin e kombit Afrim Zhitia. Jam djali i veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, dhe nipi i dy dëshmorëve të Kosovës, Fahri e Bahri Fazliu”, ka thënë Fazliu.

Fazliu ka folur për peshën që mbart emri dhe historia e familjes së tij.

“E mbaj me krenari emrin e familjes sime, por edhe peshën e madhe të sakrificës që ajo ka bërë ndër vite. Familja jonë, si shumë familje të tjera, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë. Me jetë, me burgje, me sakrifica, me ndarje e me shumë dhimbje. Por asnjëherë nuk jemi penduar për rrugën e lirisë dhe për idealin që e kanë ndjekur të parët tanë”, ka deklaruar ai.

Fazliu ka thënë se familjet e dëshmorëve kërkojnë drejtësi dhe dinjitet për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“Prandaj sot, si pjesë e një familjeje që i ka dhënë shumë lirisë së Kosovës, kërkojmë drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët tanë. Kërkojmë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën – Calin dhe Pjetër Shalën”, ka thënë ai.

Në këtë moment, nga turma është përsëritur thirrja “Jo në emrin tim!”, e cila është bërë edhe një prej parullave të protestës.

Fazliu ka thënë se personat për të cilët po protestohet janë pjesë e një periudhe historike që, sipas tij, duhet të vlerësohet në raport me sakrificën e popullit dhe luftën për liri.

“Ata janë pjesë e një periudhe historike që nuk mund të ndahet nga sakrifica e popullit dhe nga lufta për liri. Ne besojmë se e vërteta duhet të dëgjohet dhe drejtësia duhet të vendoset mbi fakte”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se familjet e dëshmorëve nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar, por drejtësi dhe ruajtjen e kujtesës për sakrificat e bëra gjatë periudhës së luftës.

“Si familje të dëshmorëve, ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë drejtësi, kërkojmë të vërtetën, kërkojmë që sakrifica e atyre që ranë për lirinë e Kosovës të mos harrohet”, ka thënë Fazliu.

Ai ka folur për përgjegjësinë që, sipas tij, kanë brezat e rinj për ruajtjen e kujtesës dhe dinjitetit të dëshmorëve.

“Fahri e Bahri Fazliu dhe shumë dëshmorë të tjerë dhanë jetën, e shumë të tjerë vazhduan rrugën e sakrificës. E ne, brezi që erdhëm pas tyre, kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin, dinjitetin dhe të vërtetën e kësaj kohe”, ka shtuar Fazliu.

Të ngjashme