Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës i UBT-së, është bërë anëtar i Asociacionit Evropian të Fakulteteve të Ndërtimit (EUCEET).
Kjo është një e arritur e madhe për fakultetin, meqë mundëson që Kosova dhe UBT të jenë në rrjedha dhe pjesë e konferencave të mëdha ndërkombëtare, pjesë e shkollave dhe akademive verore e dimërore.
Përveç kësaj, stafit të fakultetit do i mundësohet që të kenë qasje në të gjitha informatat në lidhje me kurrikulat, konferencat dhe organizimet e tjera që bëhen nga fakultetet partnere.
Në anën tjetër, edhe kongreset dhe konferencat në fushën e ndërtimit, të cilat do të organizohen prej UBT-së, do të publikohen nga ky asociacion, ku edhe do të kenë qasje në këto informata të gjitha fakultetet e inxhinierisë dhe ndërtimit në nivel evropian dhe botëror.
Qëllimet kryesore të këtij asociacioni janë krijimi i kushteve për bashkëpunim të ngushtë midis fakulteteve të inxhinierisë ndërtimore nga universitete të vendeve të ndryshme, dhënia e kontributit në shpërndarjen dhe aplikimin e hulumtimit dhe mësimdhënies së fundit të inxhinierisë ndërtimore, veçanërisht në gjetjen e përmirësimeve në mjedis, pastaj mbështetja e zhvillimit evropian dhe përhapja e teknologjive të reja të ndërtimit, puna drejt përputhshmërisë në mesin e kurrikulave të fakulteteve të inxhinierisë së ndërtimit, si një pikënisje për shkëmbimin e studentëve dhe pranimin reciprok të të diplomuarve në praktikën e inxhinierisë ndërtimore në Evropë.