Fëmijët vizitojnë Kuvendin, mësojnë mbi demokracinë parlamentare

Prishtinë | 25 Sht 2019 | 12:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Programi i Kuvendit për Filloristë, ka mbajtur punëtori me ç’rast fëmijët u njohën mbi funksionimin e parlamentit, si dhe mbi demokracinë.

Drejtori për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, Musli Krasniqi, tha për EkonomiaOnline, se fëmijëve për gjatë 4 orëve u mundësohet mësimi për demokracinë parlamentare dhe gjëra të tjera që e përbëjnë demokracinë.

“Ky program ështe i projektuar për fëmijë, përkatësisht nxënës te shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, do të thotë nga klasa e pestë e deri te klasa e nëntë. Nëpërmjet këtij programi nxënësve për 4 orë rresht u mundësohet jo vetëm të zhvillojnë një vizitë rutinë në Kuvendin e Kosovës, por edhe nëpërmjet formave interaktive dhe aktiviteteve të përshtatshme për grup moshat e tyre, të mësojnë për demokracinë parlamentare dhe shtyllat që e përbëjnë demokracinë”, tha ai.

Krasniqi bëri të ditur se për më shumë se 2 vjet ky program është mbështetur nga fondacioni austriak Erste dhe është implementuar nga organizata “Toka” ndërkaq tani ka kaluar krejtësisht në pronësi të Kuvendit dhe zhvillohet brenda ambienteve të tij.

Xheladin Hoxha, drejtor për Çështje Ligjore dhe Procedurale neë Kuvend, tha se në këtë punëtori nxënësit do të mësojnë për demokraci rreth institucioneve dhe rreth të drejtave të fëmijëve.

“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës rifilloj një program rreth punëtorisë për demokraci. Gjatë viteve të kaluara mijëra nxënës nga shkollat e Kosovës kanë mësuar rreth punëtorisë për demokraci, për institucionet për të drejtat she për edukimin e fëmijëve. Andaj ne sot po e rifillojmë këtë punëtori për demokracinë e cila është në pronësi të plotë të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Doruntinë Murturi, një nga zyrtaret e Programit për Edukim Qytetar, tha se funksionimi i qytetarisë aktive është i rëndësishëm për demokracinë, raporton EO.

“Ky program funksionon qe dy vite dhe ka përfshirë mijëra nxënës. Prandaj është nder dhe kënaqësi qe sot po e rifillojmë këtë në Kuvendin e Kosovës me dëshmua edhe njëherë”, tha ajo.

Punëtoritë për demokraci “Demos-ti”, është projektuar për edukimin qytetar të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, përmes të cilit ata fitojnë njohuri lidhur me demokracinë parlamentare. Me ndihmën e edukatorëve, nxënës të shkollave fillore nga e gjithë Kosova mësojnë se si funksionon demokracia nëpërmjet përdorimit të metodave interaktive dhe aktiviteteve të përshtatshme për moshën e tyre.

Punëtoritë 4-orëshe mbahen tre herë në javë. Në çdo punëtori, nxënësit shprehin njohuritë e fituara dhe kreativitetin e tyre përmes fotografive, shkrimit, ilustrimeve dhe vizatimeve.

Gjatë viteve të kaluara mijëra nxënës nga e gjithë Kosova kanë pasur rastin të jenë pjesëmarrës të këtij programi, duke mësuar për demokracinë, parlamentarizmin, institucionet, qytetarinë aktive, të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve etj.

Të ngjashme