Ferizaj gati për të shënuar 4 Korrikun, një grup artistësh priten nga kryetari Aliu

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Në prag të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Ferizaj ka arritur një grup prej dhjetëra artistëve nga Amerika në koncertin e nesërm ku do të performojnë yjet e këngës shqipe Merita Halili dhe Raif Hyseni.

Takimi i pak muajve më parë në mes Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu dhe çiftit të artistëve Merita Halili dhe Raif Hyseni ku u diskutua për bashkëpunimin e qytetit tonë me Montclair State University në New Jersey po jep rezultatet e para.

Sot, në ambientet e Zyrës së Kryetarit, zunë ulëset dhjetëra artistë, profesorë e performues të muzikës nga kombe të ndryshme të cilët erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për koncertin e nesërm në sheshin “Adem Jashari”. Nikoqiri, Kryetari i Komunës, Agim Aliu bashkë me drejtoren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani dhe këshilltarin për kulturë, Besim Zymberi, në pritjen e organizuar për mysafirët nga SHBA dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, shprehën nderin dhe privilegjin që në Ferizaj të performojnë artistë nga Montclair State University në New Jersey. Ky bashkëpunim vjen si angazhim i drejtpërdrejt i profesorit Astrit Mustafa si dhe përpjekjes për të sjellë në qytetin tonë, performues nga shtete e kombe të ndryshme, e që ditë më parë qyteti ynë ishte mikpritës edhe i një grupi vallesh nga Meksika.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se SHBA-të janë prijatare në çdo hap të zhvillimit të shtetit tonë, për të cilën gjithë populli i Kosovës i është falënderues përherë. Gjithashtu, ai përgëzoi edhe drejtuesit e AKV “Kastriotët”, veçanërisht profesorin Astrit Mustafa për angazhimin e pakursyer që Ferizajt t’i sjellë artistë e vlera të mirëfillta artistike nga mbarë bota.

“Është një histori e gjatë mbështetëse, një histori e gjatë e vëllazërimit e miqësimit në mes nesh, në mes shteteve tona. Edhe sot kur flasim çdo herë e ndjejmë një falënderim edhe çdo herë shijojmë diçka të re nga mbështetja amerikane. Edhe sot ne kur ecim me ritme të tjera të zhvillimit ekonomik të përmirësimit të mirëqenies të secilit qytetarë të Republikës së Kosovës, prapë është shteti amerikan, pra ne jemi komb me fat, jemi qytetarë me fat që kemi një mbështetës kaq të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në këtë mbështetje dhe në këtë kuptim që po flasim më me fat nga i gjithë kombi jemi në ferizajasit, sepse e kemi kampin Bonsteel në qytetin e Ferizajt, dhe ne çdo ditë i kemi bashkëqytetarët tuaj, këtu që tashmë janë bashkëqytetarët tanë këtu dhe sigurisht që është komunikim miqësor, jemi më të sigurt dhe ajo që i kam than së fundmi kolonelit të ri në kuadër të shërbimit, kolonelit Makarel, me lejoni ta them edhe këtu: Po e kap shpatullën në krahun ku e kishte flamurin amerikan, dhe po e pyes kolonelit pse e ke flamurin gabim sepse këtu duhet të jetë edhe një yll, mungon ylli i Kosovës dhe kjo tregon atë që ne ndjemë në kuptimin e mirënjohjes dhe falënderimit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Unë nuk e di sa do të qëndroni këtu, dhe sa mund të takoni qytetarët ferizajas, por secili nga ta që do ta takoni e ka një mirënjohje për ju, dhe secili nga ata do të ketë një rrëfim falënderimi për atë që kanë bërë SHBA-të në Kosovë, dhe ne kemi datat tona, kemi historinë tonë me të cilën mburremi edhe ne dhe pavarësisht dhe një prej datave më të rëndësishme për kombin tonë është 28 Nëntori-Dita e Flamurit, është 17 Shkurti-Dita e Pavarësisë, 12 Qershori-Dita e Çlirimit si dhe 4 korriku, por juve ju kam thënë edhe në takimin e fundit, por edhe një ndër datat më të rëndësishme për ne është 4 korriku-Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Mysafirët, kishin përgatitur edhe dhurata e suvenire për të parin e Ferizajt, Agim Aliu dhe stafin e ekzekutivit lokal, sikurse edhe nikoqiri. Ata të entuziazmuar me pritjen dhe falënderues për bashkëpunimin, thanë se Ferizaj paraqet një nga qendrat më mikpritëse, me aktivitete të shumta kulturore dhe vlera të mirëfillta artistike.

Nesër duke filluar nga ora 20:00 në sheshin “Adem Jashari”, në koncertit muzikor do të performojnë ky grup artistësh, orkestra nga Montclair State University në New Jersey në krye me këngëtaren e mirënjohur Merita Halili dhe instrumentistin Raif Hyseni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme