Fillimvit i përgjakshëm – 12 të vdekur nga aksidentet, ekspertët tregojnë shkaqet

Prishtinë | 04 Mar 2023 | 08:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Janari i këtij viti la të vdekur pesë persona si pasojë e aksidenteve në komunikacion, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës. Ndërsa, vetëm në javën e fundit të muajit shkurt, shtatë të tjerë humbën jetën në aksidente trafiku.

Raporti me të dhënat e sakta për tërë muajin, siç kanë thënë nga PK-ja, nuk është pranuar ende.

Në lidhje më këtë, ekspertë të fushës kanë numëruar arsyet pse janë duke ndodhur këto aksidente me fatalitet.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se mosrespektimi i kufizimit të shpejtësisë, moskryerja e punës nga ana e policisë, mungesa e sinjalizimit horizontal e vertikal janë disa nga çështjet problematik që ndikojnë në aksidente.

“Kryesoja është mosrespektimi i kufizimit të shpejtësisë, moskryerja e punës nga ana e policisë, mungesa e sinjalizimit horizontal e vertikal. Këto e bëjnë një lloj trekëndëshi që veç dihet, dhe si rezultat i saj e kemi numrin kaq të madh të aksidenteve. Për me parandalu numrin e aksidenteve duhet që të kemi radarë statikë dhe mobilë, si dhe kamera nëpër gjithë qytetet”.

“Problem tjetër është kur vetë polici e ndal apo e gjobitë një qytetar, ai vetë nuk e posedon rripin e sigurimit, ose sa herë që të lëvizë vetë ai asnjëherë nuk e ka rripin e sigurisë, do të thotë nuk mund të ketë ligj edhe rend prej atyre që vetë për vete nuk i zbatojnë ato”, ka thënë ai.

Ai si problematikë kryesore përmendi edhe instruktorët që bëjnë testimet për patentëshofer. Thotë se këtë rol po e ushtrojnë mjekët, biologët e persona të profesioneve të ndryshme.

 “Problematika kryesore është se instruktorët të cilët japin, ose bëjnë testimin për patentëshoferë atje, janë mjekë e biologë, gjeografë, muzikantë e të ngjashë, kurse inxhinierët rrinë. Kryejnë Fakultetin e Komunikacionit edhe nuk të jepet rasti se është pozitë e mirë. Tash a e keqpërdorin a jo, ata e dinë mirë. Si në spitale me qenë mjek inxhinieri”.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, tha se problemi që sot janë duke ndodhur shumë aksidente është më së shumti për fajin e instruktorëve.

Kjo pasi që në një testim që ju është bërë instruktorëve, vetëm 11 prej tyre e kanë kaluar atë testim.

“Problemi gjendet në dy ministri, është Ministria e Transportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Te Ministria e Transportit janë autoshkollat të cilat i aftësojnë kandidatët e rinj për të ngarë makinat në rrugët e Kosovës. Sipas një ekspertize dhe një testimi që u është bërë instruktorëve kanë kaluar vetëm 11 të cilët bëjnë vlerësimin e kandidatëve të cilët më pastaj hynë në testin për t’u pajisur me patentëshofer. Kjo po dëshmon faktin që një numër shumë i madh i ngasësve nuk kanë pasur edukimin adekuat, shkollën adekuate për t’u pajisur dhe për t’u njohur me rregullat bazike të komunikacionit”, tha ai.

Ai ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të jenë më rigoroze ndaj shkelësve të rregullave në trafik.

“Nëse e vërejmë lëvizjen tek ngasësit, njëkohësisht edhe të atyre që kanë shkaktuar aksidente, kanë me precedent tejkalimin e shpejtësinë. Kjo dëshmon faktin që në anën tjetër Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta ndërrojë komplet diskursin dhe ligjin për komunikacion, sepse duhet që çdo kush i cili nxihet në tejkalim të shpejtësisë në zonën urbane, në tejkalim 100 për qind se sa shpejtësia e lejuar me automatizëm t’i merret patentshoferi për një vit. Kjo kishte qenë mënyra e vetme për të stopuar, në njërën anë, në anën tjetër për të sensibilizuar dhe për të krijuar një kulturë të re të komunikacionit në rrugët e Kosovës sepse kështu po cenohet në mënyrë të drejtpërdrejtë siguria publike e Kosovës. Çdo makinë tani për tani në rrugët e Kosovës është një plumb vrastarë, sepse askush nuk po e di se kush është duke e vozitur atë makinë”, tha ai.

Nga të dhënat që Policia e Kosovës i ka dërguar EO-së, del që në periudhën janar-dhjetor 2022 kanë ndodhur 20 mijë e 794 aksidente, prej të cilave 106 persona kanë mbetur të vdekur.

Të ngjashme