Flutura Kusari: Narrativa anti-media e VV-së po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe dhunë ndaj gazetarëve

Prishtinë | 25 Qer 2026 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas rasteve të fundit që përfshijnë gazetaren Meme Smajli dhe ekipin e televizionit Dukagjini, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka kontribuar në degradimin e diskursit publik dhe nxitjen e sulmeve ndaj gazetarëve dhe kritikëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kusari tha se narrativa anti-media e krijuar nga partia në pushtet po shndërrohet në kërcënime, intimidim dhe madje dhunë fizike ndaj gazetarëve.

“Kjo narrativë anti-media e dizajnuar nga VV-ja, për t’i sulmu brutalisht ata që flasin dhe e kritikojnë ashpër, është shqetësuese sepse shpesh përkthehet në sulme denigruese online, kërcënime, intimidim, presion e më pas edhe në dhunë fizike”, ka shkruar Kusari.

Ajo tha se dy rastet e fundit ilustrojnë pasojat e kësaj qasjeje ndaj mediave dhe gazetarëve.

“Dy rastet e fundit e ilustrojnë këtë. Meme Smajli ka raportuar për një çështje me interes publik, pra se si prindi i deputetit Valon Ramadani ka privatizu tokë dhe ka kërku llogari nga kompania e familjes së tij për procesin e privatizimit. Si përgjigje ka marrë akuza, paralajmërime për padi dhe mesazhe private me përmbajtje të tmerrshme, përfshirë sharje eksplicite”, ka thënë ajo.

Duke iu referuar rastit të raportuar nga televizioni Dukagjini në Gjilan, Kusari tha se gazetarët janë përballur edhe me sulm fizik gjatë ushtrimit të detyrës.

“Dukagjini sot ka raportuar për punimet në sheshin e Gjilanit, me qëllim informimin e publikut rreth ndërtimeve, dhe si përgjigje ka marrë sulm fizik nga kompania përkatëse. Hala asnjë fjalë nga kryetari i Komunës së Gjilanit”, ka shkruar Kusari.

Sipas saj, në një ambient ku sulmet ndaj kritikëve normalizohen nga pushteti, raste të tilla nuk janë të papritura.

“Normalisht, në një vend ku shteti udhëhiqet nga një parti si VV-ja, e cila ka kontribuar më së shumti në degradimin e diskursit publik dhe në nxitjen, orkestrimin, mbështetjen e madje edhe arsyetimin e sulmeve online ndaj kritikëve, nuk mund të pritet diçka tjetër përveç sulmeve të tilla”, ka përfunduar Kusari.

Të ngjashme