Franca “përcjell me vëmendje” zbatimin e Planit evropian

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, e ka cilësuar etapë shumë domethënëse për Kosovën dhe Serbinë marrëveshjen e arritur bazuar në atë që njihet si Plani evropian për normalizim raportesh mes dy vendeve. Të hënën në mbrëmje, në një intervistë për televizionin publik në Kosovë, Guerot ka paralajmëruar “mbikëqyrje me vëmendje” të zbatimit të marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën që shkoi në Ohër u pajtuan për aneksin e zbatimit të Planit evropian për normalizim raportesh. Nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet, sipas Guerotit, shtetet do të përballen me pasoja.

“Ne jemi të angazhuar shumë për perspektiven evropiane të Kosovës. Kosova ka vendin e vet në institucionet evropiane, por Kosova duhet të avancojë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sepse është e domosdoshme për integrimin e evropian”, ka thënë Guerot.

Ai ka thënë se do e ndjekin me vëmendje respektimin e këtyre marrëveshjeve. “Ne do ndjekim me vëmendje respektimin e këtyre marrëveshjeve. Do të ketë pasoja nëse këto marrëveshje nuk respektohen”, ka thënë ai.

Franca dhe Gjermania ishin dy vendet që u thanë se ishin propozuese të përmbajtjes së Planit evropian, që më vonë njihej edhe si plani i Bashkimit Evropian, i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./RTK

Të ngjashme