Gardiani që e transferoi Astrit Deharin nga Burgu në spital i reagon Zv.Ministrit Sallahu dhe Avokatit Gashi

Prishtinë | 16 Mar 2023 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Ish – gardiani i qendrës së Paraburgimit në Prizren, Samir Elmazi ka demantuar deklaratat e dy figurave të rëndësishme për rastin Dehari. I pari si përfaqësues i shtetit – zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blesim Sallahut dhe i dyti si avokat i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Samir Elmazi ka shërbyer si oficer korrektues në kohën kur në qendrën e paraburgimit në Prizren ka vdekur, ish aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Ish- gardiani është përmendur nga zëvendësministri Sallahu në një debat televiziv në vend duke thënë se ai nuk është marr në pyetje nga Prokuroria dhe ai pretendon se i njëjti ka lëshuar shtetin duke emigruar në Florida.

Elmazi për Insajderin ka përgënjeshtruar zëvendësministrin duke rrëfyer versionin e tij se çka ka ndodhur ditën kritike të 5 nëntorit 2016.

Fillimisht, Elmazi deklaroi se ai është marr në pyetje nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë në vitin 2016 – pra vitin kur ka ndodhur rasti.

Po ashtu, ai hedh poshtë edhe dyshimet e zv – ministrit Sallahu se ai ka ikur nga Kosova pasi ka ndodh rasti i Astrit Deharit.

“Sa i përket deklaratës së zëvendësministrit Sallahu, me vjen keq që në Kosovë ka një zv ministër të tillë i cili del dhe thotë që një gardian ka ikur në Amerikë i cili ka qenë në qendrën e paraburgimit në Prizren në rastin Dehari. Unë kam transferuar me qindra të burgosur. Sa i përket ardhjes sime në Amerikë, ka qenë për një të ardhme më të mirë. Ka ardh si një pasoje e vetë-dëshirës sime”, deklaroi ai.

E po ashtu edhe për deklaratën e avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi se ai është marr në pyetje pas kërkesë së avokatit, ish-gardiani Elmazi thotë se këto janë manipulime dhe të pavërteta.

Ai deklaroi se është marr në pyetje pas vdekjes së Deharit – viti 2016.

“Edhe Tomë Gashi ka dhënë një deklaratë se kishe pas 6 viteve jam marr në pyetje, Avokat Tomë Gashi dhe le ta din krejt Kosova që intervistën time që e kam dhënë si dëshmi në polici e kam dhënë në vitin 2016 si dëshmitar si gardian. Ministri e din që unë jam marr në pyetje për herë të dytë kur e ka marr lëndën Prokuroria Speciale në qershor të viti 2022. Këto janë vetëm mashtrime e trillime që nuk e di se çfarë janë duke kërkuar këta” – deklaroi ai.

Rrëfimi i gardianit që barti Astrit Deharin nga burgu në spital

Ish – gardiani i qendrës së Paraburgimit në Prizren, Samir Elmazi në nëntor të vitit 2016 ka qenë një nga anëtarët e njësitit të rasteve emergjente për të bartur të burgosurit në spital për shkaqe shëndetësore. Me datën 5 nëntor kur ka ndodhur rasti i Astrit Deharit, Elmazi me urdhër të eprorit të tij, e ka bartur trupin e Deharit nga qendra e paraburgimit në Spital.

Elmazi tregon se ka bërë përcjelljen e të burgosurit si gardian dhe përgjegjësia e tij ka qenë për ta transferuar nga burgu deri në spital – pastaj thotë Elmazi ka qenë në duar të mantilbardhëve.

“Pozita ime ka qenë oficer korrektues nga viti 2009 deri ne vitin 2018. Në ditën për të cilën ju po pyetni dhe është bërë shumë buj politike, mua me vjen keq që ka humb jetën në burg pavarësisht situatës në tij. Në ditën, unë kam qenë në detyre tek porta kryesore tek porta e qendrës së paraburgimin në Prizren kam qenë I vetmi oficier i armatosur jashtë perimetrit të burgut dhe kam qenë një prej anëtarëve të njesist që në raste emergjente për t’iu siguruar siguri të burgosurve në spitale. Me urdhër të eprorit tim, unë kam bërë përcjelljen e të paraburgosurit në fjal dhe përgjegjësia ime ka qenë për ta traspertuar me mjete të emergjencës pra autoambulancën. Unë kam qenë si oficer korrektures i SHKK deri në spital”, deklaroi ai.

Hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza u kryen gjatë këtyre shtatë viteve që nga 5 nëntori i vitit 2016 për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila ende mbetet një mister i pazgjidhur.

Të ngjashme