Gashi: Aktakuza e dytë ndaj Hashim Thaçit ndikon negativisht edhe në procesin e aktakuzës së parë

Prishtinë | 21 Pri 2025 | 08:14 | Nga Diellza Gashi

Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale në Hagë, Tomë Gashi, duke komentuar ecuritë më të reja në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve të Prokurorisë, vlerësoi se aktakuza e dytë për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ndikon negativisht edhe në procesin e aktakuzës së parë ndaj tij.

Ai tha në intervistë për Ekonomia Online se kjo situatë e bën mbrojtjen më sfiduese në të dyja rastet.

“Nëse njëri apo disa prej tyre pranojnë fajësinë, atëherë atij ia bënë të vështirë mbrojtjen e tij meqenëse aktakuzën disa e kanë pranuar, kur janë duke u akuzuar bashkërisht me të. Nëse akuza është e tillë që kinse Thaçi me të tjerë ka tentuar të ndikojë tek dëshmitarët e caktuar dhe disa prej të bashkakuzuarve e kanë pranuar fajësinë ia vështirësojnë Thaçit mbrojtjen për aktakuzën e dytë”, tha ai.

Gashi është i mendimit se aktakuza e dytë ndaj Thaçit është e mbushur me gabime serioze.

“Në aktakuzën e dytë kundër Thaçit ka gabime tepër të mëdha dhe jam i befasuar se si është i mundshëm që gjyqtarët nuk e dinë që nëse dikush është i akuzuar që në bashkëveprim kinse e ka kryer një vepër penale, në këtë rast kemi të bëjmë me ndikim në dëshmitar, apo siç thuhet pengim në drejtësi”, shtoi ai.

Avokati tha se dënimi mund të jetë deri në 10 vjet, por gjithçka varet nga vlerësimi i gjyqtarëve dhe fuqia e provave.

“Aktakuzë e dytë në mënyrë indirekte ka ndikim edhe në aktakuzën e parë dhe ia vështirëson të dyja aktakuzat. Gjyqtarët janë të obliguar që aktgjykimin ta nxjerrin në bazë të provave, mirëpo ata kanë të drejtë të kenë edhe një vlerësim të lirë, që është e bazuar në prova. Mund të jetë dënimi  deri në dhjetë vjet, mirëpo kjo është çështje relative. Shpresojmë që të mos ketë prova të mjaftueshme”, tha Gashi.

Të ngjashme