Gashi: Kriza në LDK po e dëmton procesin e krijimit të institucioneve

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Avokati Tome Gashi ka vlerësuar se zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me nismën për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, po e dëmtojnë procesin e krijimit të institucioneve të reja të vendit.

Duke komentuar situatën në Five në TV Dukagjini, Gashi tha se, sipas vlerësimit të tij, LDK-ja kishte qenë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do të mundësonte formimin e institucioneve.

“Ajo që është e dëmshme, është ajo qe po ndodh tani. Duke pas parasysh se besoj që ishin në prag të një marrëveshje me LVV-në (LDK-ka). Dhe kjo do të ishte rruga për të siguruar krijimin e të gjitha institucioneve. Por, e dijmë që publikisht 4 ose 5 deputetë të LDK-së gjithmonë janë deklaruar që janë kundër bashkëpunimit me LVV, mendoj që kjo ka qenë e pritur. Por, dëmi është se pse po bëhet tani. Kur i kemi gati edhe 3 jave me 7 gusht, kur do të duhej të formohej parlamenti. Dhe që ajo është e dëmshme po ndodh. Pa e tejkaluar këtë zoti Abdixhiku është e pamundur që të vazhdoj negociatat me Vetëvendosjen. Jo që nuk i garantohet numri i deputetëve sa i ka, por partia ndoshta mund të përgjysmohej nëse nuk e gjejnë një modus se si të vazhdohet tutje”, ka thënë Gashi.

Komentet e tij vijnë në kohën kur mbi 140 delegatë të LDK-së kanë nënshkruar kërkesën për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të shqyrtohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë.

Të ngjashme