Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi e ka quajtur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për këtë kategori si mbulesë e plaçkitjes që u është bërë ndërvite.
Gashi i tha Ekonomia Online, se me këtë vendim, kryeministri Kurti po mundohet që të tregohet human, e që sipas tij, Qeveria është duke iu dhënë pensionistëve më pak se sa ju ka marr gjatë këtyre viteve.
“Kjo është edhe një sihare e Qeverisë dhe kjo do me mbulua vjedhjen, plaçkitjen që është duke iu bërë pensionisteve që sa vite është në Qeveri, duke u munduar që të prezantoj tash që është tepër humane edhe sociale. Tash kjo quhet një dhurimi, një falje, një shpërblim për pensionistet, kurse kjo qeveri ju ka marr pensionisteve gjithë kohen atë që e kanë merituar dhe nuk iu ka dhënë”.
“Qe e ka vlerësuar edhe Gjykata Kushtetuese si diçka të pa ligjshme që e ka bë dhe ai nuk ju a jep ende. Dhe shtynë afate për realizimin e saj në pafundësi. Dhe tani del që kishe jam kaq humane që po ju dha ato që ma pak se që na ka marr. Na jep diku qind për qind me pak se na ka marr. Pastaj kjo del që kjo është humane dhe është për politika sociale çfarë na ka premtuar në fillim të zgjedhjeve”, tha ai.
Gashi tha se kjo shtesë prej 100 eurove, edhe pse është e nevojshme për shumicën e pensionisteve, është një fyerje për ta. Ai tha se duke parë sjelljet e ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës, nga njëherë i vije keq se cilit popull i takon, raporton EO.
“Kjo është për neve fyerje edhe pse ne e dimë që shumë pensionist ju bënë punë, iu hynë në punë, po ja që të tillë jemi sepse edhe këta deputet, edhe këta ligjvënës në Kuvendin e Kosovës janë nga ne si popull. Dhe tash me vjen nga një herë keq cilit popull i takon kur i sheh qysh janë duke u sjell”, tha ai.
Përderisa kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së mbajtur të mërkurën ka thënë se shtesat prej 100 eurove për pensionistet do të jenë të njëhershme.
“Që në këtë fundvit, nuk kemi harruar as pensionistët tanë, po ashtu do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje. Prandaj, për të gjithë pension marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha Kurti.