Gashi premton publikisht mbështetje administrative për fakultetin e Mjekësisë dhe atë Bujqësisë në UP

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Në tryezën e organizuar nga ORCA ku prezantuan dekanët e Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Bujqësisë e Veterinarisë lidhur me sfidat e këtyre dy fakulteteve në aspektin akademik, administrativ e financiar, zv. Ministri i Financave, Fatmir Gashi është zotuar publikisht se Ministria e Financave do të krijojë lehtësira buxhetore në mënyrë urgjente sapo të pranojnë një kërkesë formale.

“Premtoj publikisht se dekanët bashkë me rektorin mund të vijnë kur të duan në Ministri dhe ne do t’ua krijojmë nënllogaritë në thesar ashtuqë fondet që arrijnë t’i gjenerojnë këto fakultete të mund t’i përdorin vetëm për qëllimet e veta pa ndërhyrje”.

I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim Ismajl Kurteshi i cili kërkoi nga Dekanët bashkëpunim më të ngushtë me qëllim të adresimit të problemeve, ndërkohë që i quajti të papranueshme situatat ku të dy këto fakultete përballen me mungesë të hapësirave për shkak se objektet e ndërtuara nuk po kryhen me kohë.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit Fehmi Hysenaj premtoi angazhim të menjëhershëm të Ministrisë së Arsimit në koordinim me institucionet lokale e qendrore me qëllim që shërbimet kontraktuale që mund të kryhen nga këto fakultete, institucionet publike t’i marrin nga to.

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka-Kërliu ka theksuar nevojën që specifikat e Fakultetit të Mjekësisë të reflektohen në ligjet relevante si ai i arsimit të lartë, i shëndetësisë dhe në Statutin e UP-së.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë Skender Kaçiu ka treguar se ndonëse ky fakultet i ka të gjitha mundësitë për të kryer shërbime veterinare dhe bujqësore, as institucionet publike e as ato private nuk tregojnë interesim për të marrë ekspertizën e tyre. Kjo edhe për shkak të pengesave administrative e financiare që ka ky fakultet për të ushtruar aktivitet ekonomik përmes instituteve potenciale. Dekani Skender Kaçiu ka theksuar se Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë duhet të fillojë patjetër të gjenerojë vet të holla pasi i ka të gjitha potencialet e nevojshme për këtë.

Përfaqësuesit e ORCA-s janë zotuar se edhe më tutje do të mundohen të bashkërendojnë forcat me akterët institucionalë dhe joinstitucional për t’i ndihmuar fakultetet në fjalë pasi këto dy fakultete janë më të mirat në Universitetin e Prishtinës për kah numri i punimeve shkencore për kokë profesori.

Tryeza “Sfidat në mjekësi dhe bujqësi nga perspektiva akademike” u organizua në saje tëangazhimit të ORCA-s për promovimin e fakulteteve me performancë të mirë shkencore të Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme