Gashi: Vetëm me trysni ndërkombëtare, Milan Radojiçiqi mund të gjykohet në Kosovë

Prishtinë | 24 Tet 2023 | 09:01 | Nga Erolinda Suhogrella Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati Tomë Gashi është shprehur i bindur se pa një trysni nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë, i dyshuari kryesor për sulmin e 24 shtatorit në veri, Milan Radojiçiqi, nuk mund të sillet dhe të gjykohet në Kosovë.

Ai i tha Ekonomia Online se është shumë e vështirë që institucionet e Kosovës të bëjnë të mundur që ish-nënkryetari i Listës Serbe të sillet në Kosovë, edhe pse thotë se kërkesa për flet-arrest ndërkombëtar është legjitime.

“Pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, institucionet tona, respektivisht Prokuroria Speciale e Kosovës, duke e ditur që Radojiçiqi tani më është në Serbi me siguri që ka kërkuar apo do të kërkojë shumë shpejt lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar, i cili do të kërkohet përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe ne duhet të kërkojmë ndihmë nga institucionet ndërkombëtare, dhe besoj që duhet të bëhet një trysni ndërkombëtare që eventualisht ai të transferohet nga Serbia në Kosovë”.

Sipas avokatit Gashi, Radojçiqi duhet të gjykohet për udhëheqjen e grupit të armatosur që vrau policin e Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë, por edhe krime të tjera të mëhershme.

“Sigurisht që ka edhe krime të tjera, duke e ditur involvimin e tij edhe në vrasjen politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, por edhe vepra të tjera korruptive dhe vepra tepër të rënda penale. Duke e  ditur që Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë për ekstradime të tilla, atëherë do të jetë tepër vështirë mos të them e pamundshme që institucioneve tona t’iu dërgohet Rajdojiçiqi për t’u gjykuar në Kosovë”, theksoi Gashi për EO.

Sipas avokatit Gashi, deklarata e kryeministrit që një Gjykatë Speciale te merret me sulmin e 24 shtatorit, është më shumë një deklaratë politike. Sipas tij, deri më tani askush nuk ka qenë kundër një hetimi ndërkombëtar.

“Ne kemi parë edhe deklaratën e kryeministrit tonë që kërkohet apo propozohet për një Gjykatë Speciale për t’u marruar me krime e 24 shtatorit, por ndoshta edhe krime të tjera. Por besoj që që kjo është më tepër një deklaratë politike sesa që mundet realizohet, duke e ditur së bashkësia ndërkombëtare po e merr tepër me të mirë Serbinë, posaçërisht prej fillimit të luftës në Ukrainë dhe institucionet tona janë të fuqishme aq sa Serbia dëshiron t’i respektojë ligjet ndërkombëtare. Neve na bjen të presim se a do të ketë trysni të mjaftueshme nga bashkësia ndërkombëtare, me qenë se mungon bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë për arsye politike. Me qenë se Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës atëherë ekstradimi eventual i Radojiçiqit në  Kosovë mund të behët vetëm me ndihmë të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Askush deri më tani nuk është shprehur qe ka kundërshtim për hetim, por të gjithë kanë kërkuar që hetohet edhe Serbia si shtet për involvimin në mënyrë shtetërore në ngjarjet e të 24 shtatorit, kur ne kemi pasur fatkeqësisht edhe një polic tonë të vrarë nga ky grup”.

Të ngjashme