Gërvalla deklarohet lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë: Jam tërësisht e pafajshme

Prishtinë | 07 Mar 2024 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, në shqyrtimin fillestar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Deklarimin rreth fajësisë, ministrja Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jam tërësisht e pafajshme”, tha Gërvalla.

Gjykatësi i rastit Dibran Isufi e njoftoi atë dhe mbrojtësen e saj, Saranda Keqekolla-Sadiku, se mund të paraqesin në afat prej 30 ditësh kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Më 20 qershor 2023, Gjykata kishte caktuar mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo seanca kishte dështuar pasi që ministrja nuk kishte angazhuar avokat.

Rasti i ministres Gërvalla ishte caktuar tek gjykatësi Adnan Kamberi, gjykatës në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, mirëpo për shkak të largimit të tij jashtë vendit, lënda tashmë do të gjykohet nga gjykatësi Dibran Isufi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Të ngjashme