Ekonomia Online
FUNDIT

Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe për deklaratat për “spastrim etnik të Kosovës”

Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe për deklaratat për “spastrim etnik të Kosovës”

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për shkak të deklaratave të saj publike, të cilat i ka cilësuar si nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe glorifikim të spastrimit etnik. Sipas Gërvallës, deklaratat e Paunoviqit përbëjnë një cenim të […]

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për shkak të deklaratave të saj publike, të cilat i ka cilësuar si nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe glorifikim të spastrimit etnik.

Sipas Gërvallës, deklaratat e Paunoviqit përbëjnë një cenim të paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike, duke theksuar se në Republikën e Kosovës nuk ka vend për relativizimin e gjenocidit, krimeve të luftës dhe narrativave që justifikojnë spastrimin etnik.

Ajo i referohet një interviste të dhënë më 12 korrik 2026 në emisionin “Neisprićano” të medias serbe Kurir, të transmetuar edhe në platformën YouTube, ku ministrja serbe, sipas Gërvallës, ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

Ministrja në detyrë e Drejtësisë e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme dhe të dënueshme, duke shtuar se justifikimi i spastrimit etnik nuk mund të konsiderohet retorikë e zakonshme politike, pasi bart pasoja të rënda historike, juridike dhe njerëzore.

Gërvalla njoftoi se i ka kërkuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe ta procedojë rastin me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga gjykata kompetente.

Në reagimin e saj, ajo rikujtoi edhe pasojat e luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Sipas saj, mbi 10 mijë civilë shqiptarë u vranë, 1,565 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, rreth një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, afro 20 mijë persona u dhunuan seksualisht dhe mbi 100 mijë shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë gjatë luftës.

Në përfundim, Gërvalla theksoi se përgjigjja e Kosovës ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes mbetet sundimi i ligjit, duke nënvizuar se institucionet e vendit kanë detyrim kushtetues dhe moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e qytetarëve dhe vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe të drejtave të njeriut.

Të ngjashme