Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Kosova dhe Franca kanë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë: Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Marrëveshjen për Ekstradim.
Sipas Gërvallës, marrëveshjet synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Francës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Ajo theksoi se këto dokumente krijojnë mekanizma më efikasë për bashkëpunim juridik, shkëmbimin e provave dhe informacionit, si dhe për ndjekjen penale dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
“Këto marrëveshje janë një lajm i mirë për drejtësinë dhe qytetarët, por një lajm i keq për grupet kriminale. Ato do të forcojnë ndjeshëm kapacitetet e institucioneve të Kosovës dhe Francës për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të kriminalitetit ndërkufitar, duke siguruar që askush të mos gjejë strehë nga drejtësia përtej kufijve shtetërorë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo rikujtoi se pas marrëveshjes së nënshkruar me Belgjikën në muajin prill, Kosova po e zgjeron më tej rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë edhe me Francën.
Në fund, ministrja në detyrë theksoi se “drejtësia nuk njeh kufij”, duke shtuar se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk ndalet në kufijtë shtetërorë dhe se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin.