Gërvalla e kundërshton tinëz Zajednicën: Nuk ka nevojë për të drejta shtesë

Prishtinë | 24 Mar 2023 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar lidhur me marrëveshjen e Ohrit ose “Zajednicën”, ani pse përfaqëson diplomacinë e jashtme kosovare. Megjithatë, ajo ka vendosur ta thyejë heshtjen si tinëz në një medium të huaj.

Në një intervistë për ‘Diario de Noticias’ ajo ka thënë se s’ka marrëveshje me Serbinë, përcjell Demokracia.com.

“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë. Nga ana jonë, ne ishim dy herë, një herë në 27 shkurt dhe më pas fundjavën e kaluar, gati për një marrëveshje, me garancitë që partnerët dhe aleatët tanë – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – na dhanë për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çuditërisht, serbia nuk ishte gati për këtë. Ata thjesht vazhdojnë lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kohëve të ndryshme dhe më pas, kur afrohet nënshkrimi, refuzojnë. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson”, tha kryediplomatja kosovare.

Kur foli për pakicat serbe, ajo tha se ka të drejta mjaftueshëm, duke implikuar një lloj kundërshtie për Zajednicën.

“Të gjitha qeveritë në Kosovë kanë një vend të garantuar për pakicat dhe njëra prej tyre është për minoritetin serb. Një shembull tjetër është se për 15 vjet ekziston një paketë e ligjeve bazë – ligje jetike, siç quhen – ku është p.sh. arsimi. Tash e 15 vjet serbët në parlament po e bllokojnë atë, pasi kanë të drejtën e vetos në këtë paketë jetike të ligjeve. Ligji ka të bëjë me fëmijët tanë, jo për politikën. Prandaj, nuk ka nevojë për të drejta shtesë. Gjithçka që mund të diskutohet në Bruksel mund të jetë më pak se ajo që është në Kushtetutën tonë. Prandaj mendoj se i gjithë diskutimi për të drejtat e pakicave në Kosovë është një debat për të shkëputur vëmendjen nga problemi real, që është agresiviteti i Serbisë ndaj gjithë fqinjëve të saj, jo vetëm Kosovës”, deklaroi ajo. 

Të ngjashme