Gërvalla shprehet optimiste se gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, akuzohet për mos njohje të reja

Prishtinë | 23 Dhj 2022 | 16:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur optimiste se gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Bashkim Evropian për çka ka thënë se ky proces bartë sfida të mëdha, por ka shtuar se një veprim i tillë është ndërmarrë pas konsultimeve të mira me aleatët e shtetit.

“Sa i përket organizatës Partneriteti për Paqe, nuk është ide origjinale vetëm e jona, por është edhe rekomandim i partnerëve tanë ndërkombëtarë, i cili po ashtu bartë sfida sepse si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Partneritetin për Paqe por edhe në Këshillin e Evropës kemi shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe secila prej fazave kërkon lobim të jashtëzakonshëm, kërkon shumë punë dhe kërkon shumëfish më tepër punë që u është dashur shteteve fqinjëve në të njëjtën rrugë kur kanë vendosur ta ndjekin”.

“Personalisht jam shumë optimiste për vitin 2023 dhe Partneritetin për Paqe pa dashur të them më shumë fjalë sesa që do të mund t’i mbaja në fund, ne do të punojmë me po kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe për anëtarësime të tjera dhe shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe, me qëllim që të jetë edhe më e qartë rruga që Kosova do të ndjek rreth anëtarësimit në NATO”, ka thënë Gërvalla.

Para deputetëve, kryediplomatja ka folur edhe për aplikimin në Këshillin e Evropës që sipas saj ekziston përkrahje e madhe politike.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, akuzoj kryediplomatën kosovare, që sipas saj nuk ka strategji dhe as plan sa i përket aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se tash e sa kohë vendi nuk ka njohje të reja.

Në lidhje me këto kritika Gërvalla ka deklaruar se qeveria ka punuar në këtë drejtim por është përqendruar më shumë në sigurimin e njohjeve nga vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Ajo ka theksuar se fushata e Serbisë për çnjohje nuk ka pasur sukses.

E kryetari i këtij komisioni Haki Abazi hedhi disa akuza mbi Gërvallen.

Fillimisht ai u ankua që s’e ka ftuar atë si kryetari komisioni në Konferencën e Ambasadorëve dhe për këtë tha se arsyeja mund të jetë edhe personale për shkak të “përplasjes së ideve”, 

“E konsideroj si një konferencë jashtëzakonisht të mirë dhe përmbajtjesore, por e marr në konsideratë mendimin tuaj dhe kur të organizojmë konferenca të tjera ndoshta do të marr vendime të tjera”.

“Keni qenë më së të mirëseardhur. E shoh se nuk ju ka pëlqyer, por ne ashtu kemi vendosur”, ishte përgjigjja e Gërvallës.

Abazi shkoi më tej duke ia përmendur edhe një bisedë, për të cilën ai pretendon se e ka zhvilluar me Gërvallën në korridor të Parlamentit.

“Sigurisht ju kujtohet biseda jonë në korridor të Parlamentit kur ju keni qenë e bindur që nuk do të ndodhë sulmi rus në Ukrainë edhe pse ka qenë bisedë krejt joformale, mendoj që ka mundur të kthehet në nivelin e diskutimit në shumë nivel më konstruktiv”.

Por, Gërvalla tha se në Komision është për komentim të bisedave publike dhe jo të atyre që thuhen në korridor.

“Sa i përket bisedave të korridoreve, por s’jam në Komision për t’i komentuar ato. Do të doja që këtu në mes të flasim për biseda publike dhe jo ato që kemi bërë korridoreve, sepse aty kemi bërë edhe biseda të tjera jo vetëm këtë që ngritët ju në pah e që mua nuk më kujtohet ”.

Po ashtu, Abazi e pati edhe një ankesë.

“Në të njëjtën kohë po e shfrytëzoj, po e keqpërdori pozitën e kryetarit të Komisionit, duke thënë që kam bërë përpjekje që të diskutoj për qasjen tonë ndaj Spanjës, që është i vetmi shtet që vazhdon të jetë më i vështiri sa i përket njohjes, nuk kemi arritur për shkak të agjendës së ngjeshur”.

Të ngjashme