Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka bërë thirrje që fokusi i Kosovës të zhvendoset nga përplasjet politike drejt zhvillimit ekonomik, duke theksuar se e ardhmja e vendit varet nga ekonomia dhe institucionet funksionale.
Në një reagim publik, Gërxhaliu tha se Republika e Kosovës duhet të largohet nga politika e ditës dhe t’i japë përparësi ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Sipas tij, debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te çështja se kush ka të drejtë në politikë apo kush fiton përplasjet politike, por te vizioni për shtetin dhe të ardhmen që do t’u lihet brezave të rinj.
“Pyetja më e madhe është se çfarë vendi po duam të ndërtojmë dhe çfarë të ardhme po duam t’ua lëmë fëmijëve tanë”, ka shkruar Gërxhaliu.
Ai vlerësoi se Kosova nuk vuan nga mungesa e potencialit, duke përmendur diasporën, rininë, fuqinë punëtore, lidhjet me Evropën, energjinë dhe vullnetin për të ecur përpara.
Megjithatë, Gërxhaliu theksoi se potenciali nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shndërrohet në organizim, zhvillim ekonomik, vende pune, investime dhe institucione që funksionojnë.
Sipas tij, një vend mund të ketë shumë mundësi, por nëse energjia e tij shpenzohet vazhdimisht në konflikte politike, ato mundësi mbeten të pashfrytëzuara dhe vetëm në nivel deklarativ.