Gjakovë: Gjuhen me armë me policinë, 1 i arrestuar 3 në arrati

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Sot rreth orës 02:05, policia gjatë patrullimit në rrugën “Konferenca e Bunjajt” në Gjakovë, kanë vërejtur një rast të vjedhjes në progres.

Policia ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprimet policore me qëllim të parandalimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, por të dyshuarit në momentin kur kanë vërejtur njësitet policore kanë tentuar të ikin nga vendi i ngjarjes.

Patrulla policore me qëllim të parandalimit të ikjes ka ndërmarrë veprimet operacionale policore për ta parandaluar ikjen e të dyshuarve me veturën e tyre, me ç’rast personat e dyshuar në shenjë rezistimi gjatë ikjes e godasin automjetin zyrtar, duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore zyrtarëve policorë si dhe e kanë dëmtuar veturën zyrtare.

Të dyshuarit duke vërejtur masat e ndërmarra nga njësitet policore duke iu pamundësuar ikjen me automjetin, të njëjtit kanë dalë nga automjeti i tyre dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.

Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje dhe në realizim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, iu janë kundërpërgjigjur sulmeve me armë zjarri dhe njëkohësisht kanë vazhduar ndjekjen e personave të dyshuar.

Në ndjekje e sipër në rrethana mjaft të rrezikshme zyrtarët policorë pas dy kilometrash kanë arritur ta ndalojnë dhe njëherësh kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit (M.R. kosovar/shqiptar i lindur 1991), ndërsa tre persona tjerë të dyshuar gjenden në arrati dhe në kërkim policor. Të gjitha njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur të gjitha provat e mundshme materiale, si dhe kanë konfiskuar automjetin e përdorur nga ana e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i arrestuar është ndaluar, përderisa hetimet intensive po vazhdojnë në kërkim të të dyshuarve tjerë. Vlen të potencohet se policët e lënduar tek pas përfundimit të aksionit policor kanë marrë trajtimin mjekësor. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, pavarësisht nivelit të rrezikshmërisë, me qëllim të garantimit të sigurisë, si dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve të saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme