Gjatë 2022-ës u raportuan 2768 raste të dhunës në familje, marrëdhëniet e çrregulluara dhe xhelozia – shkaqet më të shpeshta

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 15:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vetëm në vitin 2022, në Kosovë janë raportuar 2768 raste të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe ngacmimeve seksuale. Shumica nga to, 720 raste i takojnë moshës nga 20 deri në 30 vjeç, ka bërë të ditur major Ramadan Ahmeti, nga Sektori Kundër Dhunës në Familje, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit të martën në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Ahmeti ka thënë se nga viti 2017 dukuria e dhunës në familje po shënon rritje, ndërsa faktorët janë të shumtë.

“Përkundër angazhimit të madh që jemi duke pasur dhuna në familje është një trend në rritje. Janë krijuar 26 dhoma mike në kuadër të Policisë së Kosovës, që të intervistohen viktimat e dhunës në familje. Ne konsiderojmë që të krijohet një departament i veçantë për dhunën në familje, dhe është në proces të bëhet. Në vitin 2022, kemi identifikuar 720 raste të dhunës, ku bëjnë pjesë mosha nga 20-30 vjeç”.

Majori Ahmeti tha se shkaqet më të shpeshta të dhunës në familje dhe ndaj grave, janë marrëdhëniet e çrregulluara në familje dhe xhelozia.

“Faktorët që ndikojnë janë kryesisht shumë, por ne si polici nuk e kemi kapacitetin për të hulumtuar në aspektin social, por evidentojmë të dhëna… Kjo sigurisht do edhe analizë më të thuktë të kompetentëve të fushës sociale”.

“Nga numri total i rasteve, në 131 raste është evidentuar se dhuna është shkaktuar në bazë të traditave të vjetra; 351 raste janë për shkak të pushtetit, ‘unë dua me qenë ai që vendos’; pastaj është xhelozia – 437 raste; kushtet sociale – 146 raste dhe marrëdhëniet e çrregulluara në familje – 672 raste që janë më së shumti”, deklaroi Ahmeti.

“Kemi ndërmarrë bukur shumë fushata në terren, kemi mbajtur trajnime të ndryshme që qytetarët të raportojnë mbi dhunën. Gjithashtu është aplikacioni i veçantë për lajmërimin e rasteve, i cili për momentin është vetëm në Android, por Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar që ta bëjë këtë aplikacion të qasshëm edhe në Iphone apo IOS”, u shpreh ai.

“Në 5- 6 vitet e fundit janë raste minimale kur policia iu thotë rasteve që nuk kanë të drejtë ndërmjetësimi, pra nuk po përzihem se është proces familjar. Tek Kodi Mbrojtës edhe viktima nëse lëviz nga adresa A në adresën B duhet ta lajmërojë Policinë për shkak se në atë adresë mund të mos kenë të drejtë qasje një patrullë, të lajmërohet patrulla tjetër. Nëse njerëzit janë të edukuar në mënyrën më të mirë të mundshme mundësitë që të ketë dhunë janë më të vogla nuk po e minimizojë faktin se mund të ndodhë”, tu shpreh Ahmeti.

Ndërsa kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, e sheh shqetësuese rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

“Për fat të keq çdo ditë po lexojmë në media për dhunë në familje, dhunë seksuale ndaj grave dhe pikërisht një ditë para ditës së gruas për 8 Mars kemi thirrur këtë mbledhje”, tha Balje.

Të ngjashme