Gjeloshaj: Dy Qeveritë i kanë lënë jashtë vëmendjes shqiptarët e Malit të Zi dhe Luginës

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 22:18 | Nga Ekonomia Online

Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi Nik Gjeloshaj thotë se shqiptarët duhet të punojnë për zhvillimin e tyre ekonomik në vendin ku jetojnë.

Gjeloshaj në “Debat Plus” thotë se Kosova tashmë është e pavarur dhe sipas tij Kosova e Shqipëria janë një pavarësisht kufijve.

“Pa marrë parasysh se Kosova dhe Shqipëria nuk janë territore të bashkuara, ne shqiptarët jashtë vendit i shohim si një tërësi territoriale”.

Megjithatë kryetari i Tuzit thotë se barrierat në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të largohen.

Gjeloshaj thotë se megjithatë shqiptarët e Malit të Zi janë lënë anash nga dy shtetet shqiptare.

“Dy qeveritë është dashur të bëjnë më shumë për shqiptarët në Mal të Zi dhe ata në Luginë të Preshevës, pasi ne jemi shumë më pak se shqiptarët në Maqedoni që kanë pozitë më të mirë”.

Gjeoshaj thotë se e kanë mendjen dhe shpresën se do të kenë ndihmën e dy qeverive shqiptare në ato që mund të konsiderohen si përditshmëri në funksionimin e komunës.

“Ne pos takimeve zyrtare asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë mbështetje konkrete që të realizojmë ndonjë projekt së bashku. Mundësitë për të bërë diçka në Tuz për shembull janë shumë të mëdha”, deklaroi tutje Nik Gjeloshi.

Të ngjashme