Gjendja me COVID-19 në Kosovë: Rreth 29 mijë raste aktive

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 07:43 | Nga Ekonomia Online

Dje në Kosovë janë regjistruar gjashtë vdekje dhe 3 mijë e 917 raste të reja me koronavirus. Në mesin e viktimave ishte një person i grup-moshës 0-9 vjeç, derisa numri më i madh i personave të infektuar është ai i grup-moshës 10 -19 vjeç, gjithsej 955.

Rastet e reja dolën pas testimit të 15,268 mostrave. Nga kjo shifër i bie se 25.65 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Në Kosovë, aktualisht janë 28 mijë e 751 raste aktive me koronavirus.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht me dy doza të vaksinës janë 803,638 persona.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës dje nuk i ka miratuar rekomandimet e partive opozitare, që kanë të bëjnë me masat kufizuese kundër COVID-19.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19, opozita e ka akuzuar Qeverinë për masat e fundit kundër përhapjes së koronavirusit dhe se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë.

Qeveria e Kosovës i ka arsyetuar masat e reja duke thënë se kanë për qëllim ngadalësimin e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, pasi që kapacitetet spitalore nuk do të mund të përballonin një fluks të madh të hospitalizimeve.

Të ngjashme