Gjykatat, shkelësit kryesor të të drejtave të njeriut

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Avokati i popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se shkelësi më i madhi të drejtave të njeriut janë gjykatat.

Ai tha se pjesa më e madhe e qytetarëve i drejtohen sistemit gjyqësor për të kërkuar drejtësi, sepse është mekanizmi i fundit dhe final, ai që nxjerr një verdikt lidhur me një të drejtë të caktuar.

Aktualisht në Kosovë, numri i lëndëve në procedim thuhet që është rreth 200 mijë, derisa kohëzgjatja e lëndëve gjyqësore, kalon afatin minimal 5 vjeçar, e që është kundër çdo standardi dhe që vet gjykatat, siç thotë Jashari, e kanë konfirmuar këtë problem.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jashari, si e përshkruani gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në Kosovë, bazuar në ankesat dhe rastet që ju i procedoni?

Hilmi Jashari: Situata e të drejtave të njeriut në vend, bazuar në ankesat që i pranojmë ne, është jo e mirë ose jo e kënaqshme do ta quaja, për vet faktin që identifikohen probleme sistematike në tri shtyllat e shtetit, duke filluar nga sistemi legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të cilat vuajnë nga pasojat sistematike në vetë sistemin.

Nëse flasim për sistemin legjislativ është evidente që sistemi legjislativ ka vite të tëra që ballafaqohet me amandamentime të shpeshta të ligjeve që tejkalojnë gjithmonë shkallën e 50 për qind të ligjeve brenda një viti kalendarik, që është absolutisht jo e pranueshme për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt juridik, dhe që synon të ketë ligje të sakta dhe precize dhe që i qëndron kohës.

E dyta, ky vend ka dështuar që të bëjë harmonizimin e të gjithë legjislacionit që është në fuqi për shkak që nuk është bërë asnjëherë procesi i kodifikimit të së drejtës ose përmbledhja e ligjeve të një fushe përkatëse me një dokument ligjor të vetëm i cili publikohet dhe është i gatshëm për të gjithë në gazetën zyrtare. Pjesë të legjislacionit janë të shpërndara në faqet e gazetës zyrtare, ligjet kryesisht, ndërsa rregulloret janë të publikuara në ueb faqen e kryeministrisë.

Te pjesa e udhëzimeve administrative zakonisht publikohen në faqe të ministrive dhe është një proces komplet i fragmentizuar i sistemit ligjor. Kjo e bën të pamundur pastaj për gjyqtarët apo zbatuesit e ligjit që të zbatojnë standardet që kërkohen nga ta mirëpo është edhe ndryshimi i shpeshtë i ligjit që pamundëson të ketë një konsistencë në zbatimin e ligjit dhe e bën një situatë të pasigurt për këdo që zbaton ligjin.

Por, mbi të gjitha, iu jep mundësi zbatuesve të ligjit që të kenë një lloj diskrecioni të madh në vendosjen e çështjeve që kanë në shqyrtim ligjet që ndërrohen shpesh dhe kjo ndikon komplet në perceptimin që krijohet nga opinioni publik për mungesën e besimit në sistemin gjyqësor apo atë administrativ për vetë faktin që ligjet nuk arrijnë të zbatohen si duhet, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk arrin të ketë një kontroll të fuqishëm parlamentar të ekzekutivit për t’i mbajtur ata të përgjegjshëm dhe llogaridhënës sa i përket zbatimit të legjislacionit.

Megjithëse kjo nuk ka funksionuar asnjëherë vjen në pamundësi për të marrë vendime, për të nxjerrë konkluzione ose eventualisht për të vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e një ministrie përkatëse apo edhe të individit që udhëheq atë ministri, për shkak të mungesës së rezultateve në zbatimin e ligjeve.

Një qytetare duke kaluar pranë zyrës së Avokatit të popullit

Radio Evropa e Lirë : Cilat janë ankesat më të shpeshta të qytetarëve të cilat iu drejtohen juve?

Hilmi Jashari: Ankesat më të shpeshta që neve na drejtohen nëse flasim për palë përgjegjëse i referohen sistemit gjyqësor, dhe atij ekzekutiv nivelit komunal dhe qendror të qeverisjes, dhe me shifër janë 50 me 50 për qind. Gjatë gjithë kohës ka qenë një lloj trendi i tillë që i ka përfaqësuar ankesat e qytetarëve, derisa nëse flasim për natyrën e kërkesave i takojnë fushës ekonomike dhe sociale.

Radio Evropa e Lirë: Rrjedhimisht nga ankesat dhe rastet që trajtohen, kush apo cilat institucione dalin të jenë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut?

Hilmi Jashari: Mbi bazën e këtyre informatave raportin që kemi publikuar deri më tani, kryesisht është gjykata, shkelësi kryesor për gjykim të drejtë për një afat të caktuar kohor, shkelje e të drejtave të njeriut kjo dhe e dyta institucionet e administratës për shkak të heshtjes administrative, kur bëhet kërkesë nga ana e qytetarëve për një kërkesë që mund të jetë në interes të realizimit qoftë para komunave apo para institucioneve qendrore. Këto dyja prijnë në listën tonë të institucioneve që konsiderohen mbi bazën e shkeljeve që kemi konstatuar dhe rekomandimi që kemi adresuar për këto institucione.

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian, por edhe raportet e shoqërisë civile në Kosovë, sistemi i drejtësisë në vazhdimësi paraqitet i ngadaltë dhe jo shumë efikas. Sa ndikon ky fakt në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut?

Hilmi Jashari: Pjesa më e madhe e qytetarëve i drejtohen sistemit gjyqësor për të kërkuar drejtësi, sepse është mekanizmi i fundit dhe final ai që nxjerr një verdikt lidhur me një të drejtë të caktuar. Mirëpo nëse ky sistem ka probleme me atë që e thash më herët në zvarritje të mëdha të procedurave të vendosjes, atëherë kjo realisht përbën bën shkelje të të drejtave të njeriut për herë të dytë, dhe çka është më e keqja shteti ende nuk ka arritur ta organizojë sistemin për të kompensuar qytetarëve shkeljen e kësaj të drejte, fjalë të tjera për të kompensuar për shkak se shteti nuk ka arritur ta organizojë sistemin në mënyrën që të jetë efikas dhe efektiv siç garantohet me kushtetutën dhe siç kërkohet nga Konventa Evropiane.

E dyta, gjithashtu Kosova është i vetmi vend në Ballkan që konsiderohet si vrimë e zezë, thënë figurativisht, në Ballkan, pasi jemi në pamundësi për të shfrytëzuar çfarëdo mekanizmi juridik ndërkombëtarë, normal një pjesë e madhe për shkak të arsyeve politike ndërsa e dyta për shkak të mos anëtarësimit të organizatave ndërkombëtare që mbikëqyrin të drejtat e njeriut sikur është Konventa Evropiane dhe Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Radio Evropa e Lirë: Kohë më parë ju dërguat edhe Ligjin për paga në Gjykatën Kushtetuese. Ku qëndronte problemi me këtë Ligj, marrë parasysh procedimin që ju e bëtë për në Kushtetuese?

Hilmi Jashari: E para, kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga organizmat, trupat institucional, sindikatat e ndryshme ku numri total ka qenë diku rreth 35, për këtë ligj, që kanë ngritur shqetësime që kanë të bëjnë me trajtimin e pabarabartë krahasuar me shtyllën tjetër të pushtetit apo edhe me punën e njëjtë që bëhet me një institucion të shtyllës tjetër të pushtetit.

Ky ka qenë shqetësimi i parë, derisa tjetra është një pako e ligjeve e që në vete ka bartë edhe ligjin për zyrtarët publik, që është miratuar kohë më parë dhe për të cilin ne kemi pasur vërejtje dhe për të cilin gjykata miratoi një masë të përkohshme.

Shqetësimet kanë pasur të bëjnë me problemin e diskriminimit ose trajtimit të pabarabartë e që ka qenë synim kryesor të paktën është thënë në prononcimet publike të sponzoruesve të ligjit, që ky ligj synon të rregullojë punën e njejtë me pagë të njëjtë dhe të jep një sistem unifikues për tërë vendin.

Kjo nuk ka arritur të bëhet dhe nëse e shohim në ligj vërejmë që Kuvendi i Kosovës dhe administrata komplet është e përjashtuar prej rregullimit ligjor të këtij ligji, dhe kanë një status të veçantë krahasuar me punën e njëjtë që bëjnë institucionet tjera. Dallimi diku në një rast të caktuar është në vlerë rreth 500 euro e që është dallim i madh në nivel vendi.

Pastaj në sektorë të ndryshëm në ekzekutiv gjithashtu ka zyra që kanë marrë një status të veçantë dhe janë përmendur në mënyrë të përvetshme dhe nuk është rregulluar në mënyrë parimore si është menduar.

Për shembull janë disa drejtori në kuadër të kryeministrisë, disa drejtori tjera në Ministrinë e Financave të Administratës Publike që kanë një status të veçantë krahasuar me pozitat e tjera që mbahen në Ministri të tjera ose që kryejnë detyra të njëjta dhe përbën një dallim që është ligjërisht i pashpjegueshëm dhe nuk shpjegohet pse kjo ka ndodhur dhe cili ka qenë synimi pse është bërë një përjashtim i tillë, dhe vetë fakti që ka një përjashtim të tillë atëherë nënkupton që nuk është në përputhshmëri me parimet e sundimit të së drejtës që është princip themelor i çdo demokracie në gjithë botën.

E di që në opinionin publik ka pasur shqetësime të grupeve të caktuara nëse ky ligj do t’i afektojë ato, që në fund të dhjetorit nuk do të mund t’i marrin pagat me rritje, por nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është pjesë e shqetësimit që ne kemi pasë ngritjen e pagave, por ne jemi marrë me pjesën që mendojmë që janë diskriminuar.

Sigurisht që pas shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese kjo kategori nuk do të afektohet, dhe këta që do t’i marrin pagat me rritje do të paguhen gjithsesi në mënyrë retroaktive , por ka pasur një lloj konfuzioni në opinion për arsye të ndryshme. Ekspertë të fushës financiare do të japin përgjigje pastaj në Gjykatën Kushtetuese për këtë pjesë.

Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese është ajo që merr verdikt final. Tashmë është kërkuar një opinion edhe nga Komisioni i Venedikut që është pjesë e mekanizmit të Këshillit të Evropës që janë të specializuar në çështje ligjore edhe po besoj kjo ka me qenë shumë më objektive për të dhënë një kontribut në qartësimin nëse ky ligj është në pajtueshmëri me dispozitat kushtetuese të cilat ne i kemi kontestuar.

Të ngjashme