Guvernatori i BQK-së priti në takim përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 15:20 | Nga

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, priti në takim udhëheqësin e KfW-së të Divizionit të Sektorit Financiar dhe Zhvillimit Ekonomik për Evropën Juglindore dhe Turqi, Markus Aschendorf, transmeton Ekonomia Online.

Sipas një njoftimi nga BQK guvernatori Mehmeti informoi Aschendorfin lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar.

Gjithashtu, Mehmeti falënderoi përfaqësuesin e KfW-së për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, përmes projekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, e veçanërisht për kontributin e tyre ndaj Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, me rastin e shtimit të kapitalit për 7.45 milionë euro, prej të cilave 5.45 milionë euro për dritaren e posaçme të dedikuar për sektorin e agrikulturës.

“Udhëheqësi i Divizionit të Sektorit Financiar dhe Zhvillimit Ekonomik për Evropën Juglindore dhe Turqi, Markus Aschendorf falënderoi Mehmetin për pritjen dhe përgëzoi atë për të arriturat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe njëkohësisht për performancën e sistemit financiar”, thuhet në njoftim.

Sipas BQK-së, Aschendorf shprehu përkushtimin e institucionit për përkrahje të mëtejme në zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes projekteve të ndryshme, e posaçërisht në përkrahje të sektorit të agrikulturës dhe bizneseve të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme