Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka kërkuar nga kjo parti sqarime publike lidhur me kthimin për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një postimi, Beqa ka ngritur pikëpyetje për arsyet e kthimit të ligjit në Kuvend, duke kërkuar të dijë nëse ato kanë qenë të njohura edhe para dy javësh, kur ligji u votua.
“PDK-ja i detyrohet opinionit publik një sqarim të qartë dhe bindës! Pse po kërkohet kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ende pa u dekretuar?”, ka shkruar Beqa.
Ai ka kërkuar përgjigje edhe për atë se çfarë ka ndryshuar nga momenti i votimit të ligjit deri te kërkesa për rishqyrtimin e tij.
“A kanë qenë të njohura para dy javësh kur u votua ligji arsyet që sot po përdoren për kthimin e tij? Nëse po, pse atëherë u votua? Nëse jo, opinioni duhet ta dijë se çfarë ka ndryshuar ndërkohë?”, ka deklaruar ai.
Beqa ka vlerësuar se PDK-ja duhet të dalë publikisht dhe të japë përgjigje të drejtpërdrejta për këtë çështje, duke theksuar se vendimet e rëndësishme kërkojnë arsyetim serioz.
“Për këtë situatë të krijuar, PDK duhet të dalë publikisht dhe të japë përgjigje të drejtpërdrejta, sepse vendimet e kësaj peshe nuk mund të merren sot e të zhbëhen nesër, pa një arsyetim serioz”, ka shkruar ish-deputeti.
Në fund, ai ka theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë në vendimmarrjen politike.
“Besueshmëria politike ndërtohet me qëndrueshmëri dhe përgjegjësi, jo me vendime që lënë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje!”, shtoi Beqa.