Hajdari: Sektori i naftës është i mbuluar me ligj, por nuk mund të ndikojmë në çmimet e importit

Prishtinë | 18 Qer 2025 | 15:24 | Nga Gzim Mujaj

Ministrja me detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se pavarësisht mungesës së një ligji për rregullimin e çmimeve të produkteve esenciale për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sektori i naftës në Kosovë është i mbuluar me legjislacion të veçantë, raporton Ekonomia Online.

E pyetur në lidhje me mundësinë e rritjes së çmimeve të derivateve si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, Hajdari tha se Kosova ka synuar të rregullojë ligjërisht edhe çmimet e produkteve bazë në raste krizash në treg, por nisma është bllokuar nga opozita.

Ajo kujton se ishte përgatitur një ligj për çmimet e produkteve ushqimore, të naftës dhe të drurit në situata të jashtëzakonshme, por që nuk ka hyrë në fuqi.

Ajo siguroi se rregulloret për çmimet janë aktualisht në fuqi dhe se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është aktiv në kontrollin e tregut.

“Për sektorin e naftës jemi më mirë ligjërisht të kompletuar, edhe pse e kemi synuar edhe për shumë produkte tjera esenciale ose thelbësore në rast të ç’rregullimit të tregut. Kemi pasur ligjin për rregullimin e çmimeve të produkteve bazë në rast të ç’rregullimit të tregut, të cilin ligj për produktet esenciale ose thelbësore për popullatën, përfshirë produktet ushqimore, naftën, drurin, nuk arritëm ta kemi këtë ligj në fuqi për shkak të kundërshtimeve nga opozita, duke aluduar se ne po ngushtojmë konkurrencën e lirë në treg. Dhe kjo rezultoi me përgjigjje negative nga Gjykata Kushtetuese ku këtë ligj nuk e kemi në fuqi. Por e mira e sektorit të naftës është se kemi një ligj për produktet e naftës në fuqi tashmë… Por nuk mund të rregullojmë çmimin furnizues që hyn në tregun e Kosovës. Pra, çka është në tregun e Kosovës që hyn nga importi, ne kemi si pikë referente çmimin furnizues në Doganën e Kosovës dhe shtojmë 12 cent për litër me pakicë, ose 2 cent për litër shitjen me pakicë dhe shumicë. Vendimet e di se janë në fuqi për rregullimin e çmimit të naftës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është aktiv,” tha ajo.

Hajdari, po ashtu ka deklaruar se nuk është në dijeni për një kompani të derivateve që po operon pa licencë dhe ndaj së cilës është ngritur aktakuzë.

“Jo, nuk jemi në dijeni, nuk jemi aspak të njoftuar. Unë si ministre nuk jam e informuar për një biznes të vetëm, por për bizneset e ndryshme që inspektohen, gjobiten dhe motivohen për t’u licensuar. Do të përgjigjem me shkrim a e ka marrë apo jo”, tha Hajdari.

Ajo shtoi se në fillim të mandatit në vitin 2021, sektori i naftës ka qenë i paformalizuar, me mbi 50% të pikave të karburantit pa licencë, por se me ligjin e ri është arritur formalizimi i 98% të operatorëve.

Ministrja theksoi se janë intensifikuar inspektimet nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u rritur mbi 100% gjatë këtij mandati.

Të ngjashme