Halimi: Kurti është peng i të kaluarës së tij, po e rrezikon të ardhmen e vendit

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për mosdakordim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështje të rëndësishme për Kosovën.

Sipas Halimit, Kurti për shkak të një pengu të së kaluarës së tij etnonacionaliste po e rrezikon të ardhmen e vendit dhe popullit të tij.

“Sot, një kryeministër i zgjedhur i Kosovës po i thotë jo garantit të lirisë sonë! Për shkak se është peng i të kaluarës së tij etnonacionaliste, ai po e rrezikon të ardhmen e vendit dhe popullit të tij!?”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Sipas saj, pa Amerikën s’do të kishte demokraci në Kosovë, as anëtarësim në NATO e BE. Siç thotë ajo, ShBA-ja gjithnjë e ka përkrahur Kosovën në rrugëtimin e saj.

“Amerika që kur hapi Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, më 1996 i ka qëndruar në krah Kosovës, me të gjitha mjetet dhe resurset. Me Amerikën u arrit Marrëveshja e Rambouillet më 1999 dhe Serbia u ndëshkua me Tomahawk. Me Amerikën Procesi i Vjenës kulmoi me Paketën Ahtisaari që e çoi Kosovën në 17 shkurtin e vitit 2008. Me Amerikën u konfirmua pavarësia në GjND më 2012. Me Amerikën fituam ushtrinë kombëtare më 2017. Jemi në rrugë për t’u bërë një nga kombet transatlantike. Pa Amerikën nuk do të jemi as demokraci, as anëtare në NATO dhe as në BE. Jemi ndër fare pak vende të ndëshkuara. Për kë bien kambanat?”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme