Hapja e urës së Ibrit dhe performanca e Shakirës – “ëndrra” të parealizuara

Prishtinë | 06 Maj 2019 | 22:51 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse punimet për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër kanë përfunduar, më nuk është diskutuar se kur do të bëhet përurimi i saj në mënyrë që qytetarët nga të dy anët e qytetit të mund të lëvizin lirshëm.

Në fund të vitit të kaluar, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri paralajmëroi se ura mbi lumin Ibër do të hapet.

Madje, Bahtiri kishte thënë se do të realizonte një ceremoni të veçantë ku në përurimin e kësaj ure do të merrte pjesë edhe këngëtarja me famë botërore ‘Shakira’.Mirëpo, këtë vit entuziazmi i tij duket se është shuar.

Lajmi.net ka kontaktuar me Agim Bahtirin për të pyetur rreth vonesave të hapjes së urës, ai është ankuar pse pyetja i është drejtuar pikërisht atij.“Pse po ma bëni këtë pyetje, po çuditna”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë duke mos dhënë ndonjë datë për hapjen e urës kryesore, kanë thënë se punimet për rivitalizimin e saj janë teknikisht të kompletuara.“Punimet për rivitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë janë teknikisht të kompletuara. BE po punon me Beogradin dhe Prishtinën”, thuhet në përgjigjën e kësaj Zyre për lajmi.net.

Të njëjtit kanë shtuar se të gjitha marrëveshjet e dialogut duke përfshirë atë lidhur me urën kryesore duhet të zbatohen në tërësi sa më shpejt që të jetë e mundur.

Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian për rivitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë ka nisur më 14 gusht të vitit 2016.

Për të janë investuar 1 milion e 45 mijë euro.

Ndërsa marrëveshja në mes Prishtinës dhe Beogradit për lirinë e lëvizjen është arritur më 25 gusht të vitit 2015 në Bruksel.

Të ngjashme